Meta: Berisha vazhdoi me premtimet e pambajtura
Aristir Lumezi
“Konventa elektorale e dy ditëve më parë të PD-së, s’ishte gjë tjetër veçse një përsëritje identike e premtimeve mashtruese elektorale të vitit 2005". Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp akuzoi kryeministrin Sali Berisha se “ndryshimi i vetëm në premtimet e reja të tij në Konventë ishte rritja spekulative e përmasave të këtyre premtimeve, njësoj si interesat e piramidave mashtruese të vitit ‘96–‘97, të cilat sa më pranë falimentimit vinin, aq dhe më marramendëse i kishin interesat e tyre në rritje”. Sipas kreut të LSI-së premtimet e Berishës treguan dështimin e qeverisë së tij në këto katër vjet. “Sali Berishës ju deshën katër vjet për të kuptuar që 70 % e shqiptarëve kërkojnë më shumë punësim dhe të ardhura më të larta. Sali Berishës iu deshën katër vjet për të kuptuar që varfëria e shqiptarëve, është shtuar dhe se familjet shqiptare nuk mund të jetojnë më me 2 dollarë në ditë. Sali Berishës iu deshën katër vjet për të kuptuar, që vendi është në një situatë të egër dhe se duhen iniciativa fiskale për bizneset dhe sidomos për bizneset fason, duke i ndihmuar ata për të përballuar sigurimet shoqërore apo për të përjashtuar nga fitimi bizneset në zonat e thella të vendit”, tha Meta. Sipas tij, Sali Berisha nuk ka guxim të thotë sesa kilometra rrugë shtroi nga 4 mijë kilometra të premtuara, por vazhdon të inaugurojë për herë të tretë dhe të katërt disa rrugë fshatrash. “Të paktën një dështim e pranoi, se ujin që do t’ua jepte shqiptarëve 24 orë në 2013, kishte premtuar se do ta zgjidhte dhe do t’u jepte 24 orë ujë shqiptarëve brenda vitit 2007", tha Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh se kjo qeveri ka dështuar dhe në pajisjen e shtetasve me karta identiteti. “Prandaj nuk kemi se si të vlerësojmë ndryshe, një Qeveri të tillë, e cila nuk është në gjendje as të plotësojë detyrimin më minimal për të garantuar prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit të qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit”, tha Meta. Sipas tij: “Për të mos bërë përsëri bilancin e dështimeve të Sali Berishës edhe pas katër viteve të tjera, është më se e qartë se është detyra jonë dhe në radhë të parë e LSI-së për ta nxjerrë njëherë e mirë Sali Berishën në pension në 28 qershor me votën e lirë të shumicës së qytetarëve shqiptarë”.