E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet të lira, t’i fitojë më i forti

 

Presidenti Bamir Topi shprehet optimist për ecurinë e zgjedhjeve në 28 qershor. Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, të dhënë gjatë qëndrimit në Zagreb, kreu i shtetit u shpreh se situata politike në Shqipëri është e qëndrueshme. Sipas tij partitë politike momentalisht po zhvillojnë fushatën dhe vendi ka një ligj të ri zgjedhor, proporcional rajonal. I pyetur nëse pret ndryshime nga këto zgjedhje Topi tha se “nuk mund të futem në parashikime, sepse para zgjedhjes në funksionin e Presidentit të Republikës isha nënkryetar i Partisë Demokratike, dhe pas zgjedhjes në funksionin aktual kam ndërprerë aktivitetet e mia partiake. Me rëndësi është që këto zgjedhje të jenë të lira, korrekte dhe të forcojnë demokracinë në Shqipëri. Kush është më i fortë, le të fitojë”. Sipas tij, vendi ka bërë progres në luftën kundër kriminalitetit, por shtoi se në disa nivele ka ende korrupsion. “BE ka standardet e saj dhe ato nuk janë të ndryshueshme. Po punojmë intensivisht për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Jemi shumë të suksesshëm në luftën kundër kriminalitetit, ndërsa në fushën e gjyqësorit rezultatet janë gjithnjë e më të mira. Jemi të gatshëm të luftojmë kundër korrupsionit, por në disa nivele ende kemi korrupsion”, vijoi kreu i shtetit. Lidhur me idenë e ngritur disa herë në takimet dypalëshe për “Schengen”-in ballkanik, kreu i shtetit u shpreh se “nuk ka gjë më të mirë se sa njerëzit në tërë rajonin të lëvizin pa viza. Kështu ata çlirohen psikologjikisht kur është kështu, ndërsa vendet e Ballkanit sot nuk kanë probleme me nacionalizmin dhe situata është e favorshme, që njerëzit të jenë me të vërtetë të lirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›