Bushati: Qeveria e paaftë për të mbrojtur qytetarët
Tiranë- Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati ka bërë përgjegjëse për gjendjen dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve qeverinë dhe kryeministrin, duke e quajtur të paangazhuar dhe aspak serioze përballë situatës ekonomike që kalon vendi.
“Mënyra se si projekton dhe reagon qeveria Berisha, përballë vështirësive ekonomike në rritje, bën të dyshosh për seriozitetin dhe angazhimin e saj në mbrojtje të interesave të shtetasve në vend. Papërgjegjësia qeverisëse në këto kushte, bën dhe më të vështirë jetën sot, vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta në treg dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje shqiptare”- tha ai, duke iu referuar raportit të Bankës së Shqipërisë, për një tkurrje të ndjeshme të ekonomisë dhe të mirëqenies së popullatës në vend.
Ai ka theksuar se dërgesat e emigrantëve nga jashtë në ndihmë të familjeve të tyre kanë një rënie të fortë prej 13%, ndërkohë që invetimet e huaja janë pothuajse të ndaluara.
Kontributi që japin këto faktorë jetik të ekonomisë, në mirëqenien e qytetarëve, sipas Bushatit, vështirëson parashikimet optimiste për një jetë më të mirë në vend. Vetëm këta dy sektorë në këtë gjendje që paraqiten dhe në bazë të peshës që mbajnë, mund të ndikojnë në një rënie prej 2% të ekonomisë shqiptare.
Ai ka deklaruar se qeveria duhet të parashtrojë dhe të ushtrojë një plan të detajuar masash, për të parandaluar krizën ekonomike në zhvillim. Kjo, sepse shteti ka për detyrë të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të vet, në forma dhe metoda që i paraprinë situatës ekonomike që po përjetojmë.
Përkundër kësaj situate ai ka premtuar se programi i ri i Partisë Socialiste parashikon një zhvillim ekonomik, që do të mbrojë nivelin e jetesës duke shpërndarë mirëqenien për të gjithë qytetarët e këtij shteti, dhe jo vetëm për njerëzit pranë pushtetit.