Bushati: Qeveria fyen shqiptarët me rritjen e shifrës së punësimit
Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati deklaroi se qeveria mashtron me shifrat rritëse të punësimit në vend. Sipas Bushatit, shifrat zyrtare të papunësisë janë të manipuluara dhe fshehin realitetin që njerëzit e deklarojnë në mënyrë të përsëritur përditë dhe në çdo sondazh sado të thjeshtë. Duke iu referuar deklaratës së qeverisë se papunësia në fshat është vetëm 2%, ndërkohë që sipas tij në qytete ky nivel shkon 28%, kur ka dhe qytete të mëdha si Shkodra ku niveli i papunësisë është në shifrat 45%.
Sipas kësaj logjike cinike të qeverisë që tallet me shqiptarët kudo, qytetarët do të duhej të rendnin për tu punësuar në bujqësi, u shpreh Bushati. Ai tha se PD premtoi punësim të plotë në programin e saj qeverisës të vitit 2005. Ndërkohë që sipas tij, asnjë nismë nga qeveria për të zbatuar programin e saj në 4 vjet nuk është ndërmarrë. Shifrat e papunësisë vazhdojnë të jenë më keq se 4 vjet më parë, asgjë nuk është bërë për realizimin e programit të premtimeve në sirtar, u shpreh Bushati, duke shtuar se rritja e rreme ekonomike nuk ka krijuar asnjë vend të ri pune më shumë. Papunësia përzë njerëzit nga shtëpitë dhe familjet e tyre. Papunësia është shkaku kryesor i emigracionit masiv. Sipas tij Berisha nuk mbajti premtimin për 200.000 vende të reja pune. Bushati tha së sot në Shqipëri mungon shansi i një punësimi dinjitoz si për të diplomuarit, ashtu dhe për të rinjtë në zonat rurale. Ai deklaroi se Partia Socialistë do të krijojë kushtet që tregu i punës të jetë funksional në një ekonomi me zhvillim të harmonizuar që mbart shanse të barabarta për të gjithë dhe jo vetëm për njerëzit afër kryeministrit.