E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Rrezikohen zgjedhjet, jo të gjithë shqiptarët me karta identiteti

Komisioni Ad Hoc shpreh rezerva për ecurinë e procesit të aplikimit për kartat e identitetit  
Pas mbledhjes së komisionit Ad Hoc, bashkëkryetari i komisionit Kastriot Islami shprehu shqetësimin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit në një kohë të limituar. Islami deklaroi se deri në datën 6 prill janë kryer 159 000 aplikime nga votuesit pa pasaportë ose vetëm rreth 22 për qind e numrit prej 730 mijë të votuesve pa pasaportë. Siç bën të ditur nënkryetari i komisionit, Islami situata është më e rëndë nëse analiza bëhet për çdo njësi të gjendjes civile. Në bazë të konstatimeve, Islami tha se janë vënë në punë 410 poste aplikimi, por në realitet në 62 prej tyre kanë aplikuar zero votues. Ndërsa, në 40 prej tyre ka aplikuar vetëm një votues dhe në 152 prej tyre kanë aplikuar nga 2-15 votues. Islami shpjegon se në 252, prej 410 posteve të aplikimit, ose në 62 për qind të rasteve aplikimi mund të thuhet se nuk ka filluar ende. Sipas Islamit më keq situata paraqitet me aplikimet për votuesit pa pasaportë në qarqet e Dibrës vetëm 4,2%, Elbasanit vetëm 14,2%, Vlorës vetëm 18,5%,  etj,  kurse në rrethet Dibrës 6,2%, Matit 3,5%, Bulqizës më pak se 1%; etj. Duke iu referuar numrit mesatar të aplikimeve në praktike e në realitet, sipas Islamit deri tani për çdo post nuk ka qenë më i lartë se 31 votues në total dhe kjo ka ardhur nga disa arsye. Sipas Islamit, interneti ka pasur probleme, aksesi në bazën e të dhënave ka pasur vështirësi, operatorët në disa zona nuk kanë performancën e duhur dhe prezenca e votuesve pa pasaportë ka qenë e ulët për shkak të gjendjes së tyre të vështirë financiare. Në 50 njësi të gjendjes civile është e pamundur që kjo detyrë të kryhet deri në 12 qershor 2009 dhe deri tani nuk ka asnjë masa shtesë nga MB, u shpreh Islami.
Duke iu referuar propozimit të PS për të pajisur me karta falas votuesit e komunitetit rom, Islami theksoi se është e nevojshme të hiqet edhe taksa e votimit për komunitetin egjiptian, i cili vlerësohet të jetë në të njëjtën gjendje sociale për të mos thënë më të vështirë. Islami tha se taksa duhet të hiqet edhe për 92 mijë familjarët në asistencë, që ndryshe do të thoshte minimalisht 200 mijë votues, për 150 mijë pensionistët në fshat, që nuk kanë më shumë se 5500 deri 6500 lekë të ardhura në muaj, për 100 mijë persona me aftësi të kufizuara me të ardhura të pamjaftueshme për të jetuar dhe kuruar sëmundjet e tyre, për 30 mijë invalidët, që po ashtu nuk do të kishin mundësi ta përballonin këtë taksë të votimit dhe rreth 20 mijë të tjerë që jetojnë me të ardhura të papunësisë, që do të bënin pjesë në grupin më vunerabël të votuesve pa pasaportë. Bashkëkryetari Islami ripërsëriti qëndrimin dhe kërkesën për heqjen e taksës së votimit. Sipas tij, kjo po shkatërron elementin kohor dhe po ezauron kapacitetet. Islami theksoi se zgjedhjet do të jenë konform standardeve ndërkombëtare, vetëm nëse të gjithë votuesve u garantohet e drejta e votimit, që sipas kodit zgjedhor sigurohet vetëm me pasaportë e letër njoftimi elektronike. PS në asnjë rast nuk do të lejojë ndryshimin e fitores së saj në 28 qershor 2009, përmes manipulimit selektiv me kartat e identitetit, u shpreh Islami. Ai deklaroi se PS ka kërkuar dhe është krejtësisht e përgatitur dhe e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet në 28 qershor 2009.
Hapja e posteve të aplikimit deri në 6 prill 2009
Bashkëkryetari Islami deklaroi se në 62 Komuna të vendit ka 0 aplikime të shtetasve pa pasaportë. Islami bëri të ditur se në qytetin e Beratit deri në 6 prill janë hapur vetëm 3 poste aplikimi si në Cukalat, Cepan, Potom. Në  Dibër postet e aplikimit janë hapur në Fushë Cidhen, Kastriot, Melan, Tomin, Selishtë, Komsi, Rukaj, Suc, Ulëz, Gjoricë, Fushë Bulqizë. Në Durrës janë hapur postet e aplikimit në komunat Bubq, Cudhi. Në Elbasan në komunat Klos, Shirgjan, Tregan, Kodovjat, Kukur, Tunjë, Gjocaj, Pajovë, Shezë. Në Fier, Bashkia Roskovec, Topojë, Zharrëz, Allkaj, Ballagat, Bubullimë, Karbunarë, Kolonjë, Remas, Greshicë, Hekal. Në Gjirokastër, komuna në Dropulln e Sipërm, Lunxhëri, Çarçovë, Petran. Në Korçë, komuna e Pirgut, Udenisht, Proptisht, Progër. Në Kukës në komunat e Tërthorës, Golaj, Fajzë, Margegaj. Në Lezhë vetëm një post është hapur, në komunën e Oroshit. Në Shkodër, komuna Dajç, Pult, Gjegjan, Qendër Malësi e Madhe, Shkrel. Në Tiranë, komuna Zal Herr, Luz i Vogël. Në Vlorë, Selenicë, Sevaster, Konispol, Aliko, Dhivër, Xarrë. Sipas Islamit, në 192 njësi vendore, që prej fillimit të procesit e deri më sot nuk kanë aplikuar më shumë se 15 shtetas (me ose pa pasaportë). Siç bën të ditur Islami në 254 njësi të gjendjes civile realisht nuk ka filluar aplikimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›