E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama të mos sabotojë pajisjen e qytetarëve me karta

Sipas përfaqësuesit të PD-së në komisionin e posaçëm zgjedhor, Fatos Hoxha deklaroi se Edi Rama po saboton procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti". Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të këtij komisioni, deputeti Hoxha, duke vënë në dukje ecurinë e mirë të këtij procesi, theksoi se pengesë kryesore e tij është kryetari i PS-së, Edi Rama.
"Deri në këto momente kryetari i PS-së, Edi Rama nuk i ka bërë thirrje anëtarëve të PS-së e militantëve të majtë që të shkojnë e të aplikojnë. Në të kundërt, ai ka nxjerrë në të gjithë Shqipërinë satelitët e tij që të mos marrin pjesë në proces, me qëllimin e vetëm bllokimin e tij dhe për të treguar se Qeveria po dështon në këtë proces. Mund të them se ky është një sabotim i pastër", tha deputeti demokrat. Sipas Hoxhës, kreu i PS-së "ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me çertifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar çertifikatës taksa vendore, disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës. I bëj thirrje z. Rama që të heqë dorë nga kjo lojë e të mos i prishë festën shqiptarëve, pasi 28 qershori do të jetë çertifikata e tyre për anëtarësimin e vendit në BE", u shpreh Hoxha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›