E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon turi elektoral i Ramës në Shijak, militantë me autobusë për të mbushur sallën

Shijaku ka qenë një tjetër ndalesë në takimet e Kryetarit të PS me Rrjetin e vullnetarëve në çdo qytet të Shqipërisë. Edhe pse kryetari i degës së PS në Shijak nuk ka qenë i pranishëm, Rama ka vijuar turin e tij elektoral, duke marrë qytetarët me autobus. Nga ky qytet kryesocialisti Rama ka bërë apel për qeverinë dhe Kryeministrin të mos tregohen shurdh përpara rekomandimeve, jo vetëm të opozitës, por në radhë të parë të organizmave financiarë ndërkombëtarë. Rama duke pohuar se kriza është globale, përsëriti se është përgjegjësi e Kryeministrit dhe e qeverisë për të menaxhuar pasojat e kësaj krize, duke marrë si bazë edhe sugjerimet e partnerëve financiarë ndërkombëtarë. Sot Shqipëria po zhytet përditë në barrën e një krize ekonomike, që sigurisht në zanafillën e vet nuk është përgjegjësia e qeverisë tonë, sepse është një krizë globale, por po shkon duke u thelluar, sepse qeveria jonë dhe Kryeministri ynë nuk duan ta pranojnë krizën, u shpreh Rama, duke shtuar se duke gënjyer ata po e kthejnë krizën, nga një krizë që për arsye më të mëdha se ne dhe se Shqipëria ka trokitur në derën tonë, në një krizë që për shkakun e qeverisë tonë dhe Kryeministrit tonë, rrezikon jo vetëm të mos dalë nga dera, por të krijojë aq shumë probleme dhe aq shumë shkatërrim në familjet tona, në bizneset e këtij vendi, sa që ta kemi pastaj tmerrësisht të vështirë për tu kthyer në normalitetin e jetesës dhe të përballimit të nevojave. Në vijim të fjalës së tij, Rama e vuri theksin tek papunësia që ka zhytur të gjithë qytetarët shqiptarë në varfëri. Sot Shqipëria në qytet dhe në fshat, Shqipëria e njerëzve të punës, që për fat të keq nuk gjejnë dot më një punë për të jetuar me punë të ndershme, Shqipëria e bujqve dhe e fermerëve, që për fat të keq detyrohen të hedhin në lumë edhe atë pak prodhim që nxjerrin, u shpreh kryesocialisti Rama. Sipas tij, sipërmarrësit për fat të keq vazhdojnë të vuajnë paga reference, vazhdojnë të vuajnë gjoba abuzive, vazhdojnë të vuajnë një qeverisje që nuk do tia dijë për ta. Shqipëria jonë e përbashkët rrezikon të zhytet shumë më thellë për shkak se qeveria jonë, Kryeministri ynë, e mohojnë krizën, bëjnë veshin shurdh ndaj kambanave të alarmit që partnerët tanë ndërkombëtarë vënë, që ne të dëgjojmë, tha Rama, duke shtuar se ata bëjnë syrin qorr përballë realitetit të familjeve shqiptare, që e kanë gjithmonë e më të vështirë të nxjerrin fundin e muajit. Gjithashtu, kryesocialisti Rama deklaroi se sot Shqipëria rrezikon të gjendet përpara një hendeku tjetër të pakapërcyeshëm, duke e krahasuar me vitin 1996. Ai tha se kryeministri në periudhën kur ishte President i Republikës, nuk dëgjoi në vitin 1996 kambanat e FMN. Sipas tij, për arsye të mirëfillta interesash elektorale pushteti, po shpenzon pa asnjë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ato të ardhura që duhen për të përballuar krizën, duke mos bërë asgjë nga ato që qeveritë e tjera, Kryeministrat e tjerë, të tjera vende, po bëjnë që popujt e tyre të mos vuajnë më shumë se sa kjo krizë po i bën të vuajnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›