E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Qeveria po asfikson biznesin

Deklarata Socialistët fajësojnë mazhorancën për situatën ekonomike

Socialistët vazhdojnë akuzat ndaj qeverisë për situatën ekonomike në vend. Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati, ka akuzuar dje qeverinë se po asfikson dhe po mbyt biznesin.
“Shteti sot e ka mbyllur kapitalin ekonomik të Shqipërisë në një zinxhir borxhesh, ndërkohë që mban peng biznesin, sipërmarrjen dhe kapitalin brenda vendit. Fonde publike të shpërdoruara vjet dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga qeveria që kemi sot, na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar”, tha Bushati. Sipas tij, qeveria nuk po i paguan dot detyrimet që i ka sipërmarrjes vendase. “Rendja e qeverisë pas taktikave miope populiste, ka lënë vendin tonë pa vizionin e një strategjie definitive zhvillimi ekonomik. Ekonomia sot është e mbyllur brenda zinxhirit të një ‘rrethi vicioz’ që ka farkëtuar pushteti që qeveris Shqipërinë”, tha Bushati. Partia Socialiste vlerëson se Politikat Ekonomike të tranzicionit nuk e kanë arritur objektivin historik për ta integruar vendin në kontekstin europian dhe atë ndërkombëtar. Bushati u ndal më pas dhe në familjen shqiptare duke vlerësuar se kriza tashmë e ka prekur ekonominë familjare. “çdo qytetar dëshmon sot rënie të fuqisë blerëse, nëpërmjet uljes buxhetit real në shtëpitë shqiptare dhe ngritje të çmimeve në mallrat e konsumit e në shërbime bazë ndaj familjeve”, u shpreh Bushati.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›