E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta, drejt bashkimit në një parti

Gjinushi: Pritet të korrigjohet sjellja jo si aleatë në zgjedhje

Gati bashkimi i të majtës. Ka nisur të skicohet plani i opozitës për t’u “ngjizur” në një forcë të vetme pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Pas G99, tani është radha e Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit që hedh sinjale bashkimi me forcën më të madhe opozitare në vend. Kryetari i socialdemokratëve edhe pse nuk ka dhënë një datë se kur do të ndodhë ky bashkim, ai shprehet se e shikon atë si mënyrën e vetme për të finalizuar bashkëpunimin dhe besnikërinë disavjeçare ndaj Partisë Socialiste. Të majtët zbatojnë formulën e bashkimit, ndërkohë që ngelet për t’u zbuluar vetëm përgjigjja e Paskal Milos, kreut të PDS-së, i cili ndodhet për një vizitë në Prishtinë dhe të hënën pritet të bëj publik edhe qëndrimin e tij.

PSD

“Patjetër që e majta ka nevojë për bashkim, pra konsolidimit, institucionalizimit të një bashkimi. Ju e dini që PS-PSD kanë qenë vazhdimisht në këto terma, janë dy aleatët tradicionalë, nuk u sollën tamam si të tillë në zgjedhjet e fundit, kështu që është një gjë për t’u korrigjuar dhe kjo", thotë Skënder Gjinushi.
Pas kreut të G99, Erjon Veliajt, radhëve të Partisë Socialiste do t’i bashkohet dhe Skënder Gjinushi.

Bashkimi me PS

Pas G99, socialdemokratët pritet të shkrihen si subjekte politike për t’iu bashkuar socialistëve dhe për të kandiduar për postin e deputetit jo më nën siglën e tyre, por në siglën e trëndafilit të kuq të selisë rozë. Përpara se Gjinushi të zbulonte planin e tij, Erion Veliaj ka theksuar se shkrirja e G99-ës me Partinë Socialiste mund të ndodhë gjatë verës ose në vjeshtë. “Nuk ka asnjë habi që njerëzit e mirë dhe progresistë të bashkëpunojnë. Ka më shumë habi të shikosh Nanon, Berishën dhe Metën që janë në një triumvirat sundimi të këtij vendi prej 20 vitesh. Pra kur gjithë forcat e së keqes, pra ky aks i së keqes bashkëpunon, pse të mos bashkëpunojë edhe aksi i së mirës”, është shprehur Veliaj.

Federata e majtë

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, është edhe propozuesi i idesë së një federate të majtë, e cila në të vërtetë nuk u konkretizua kurrë. Ndërkohë, ideja e Gjinushit për të krijuar Federatën e Majtë, e bërë publike që 6 vjet më parë, është mbështetur përpara zgjedhjeve të 28 qershorit edhe nga kryetari i partisë më të madhe të opozitës, PS-së, Edi Rama, por u kundërshtua nga forca politike si LSI dhe PAD që sot janë në koalicion me partinë që gëzon pushtetin, duke përfituar edhe ata një copë nga torta e pushtetit. Gjinushi komentoi dje dhe bashkimin e kreut të G99 me aleaten e madhe të përbashkët, selinë rozë. Po ashtu ai komenton dhe kohën e shkurtër që i është dashur Veliajt, për t’u përfshirë në PS. "Flasim për marrëdhëniet PS-PSD, në lidhje me zotin Rama i dinë vetë marrëdhëniet e tyre", thotë Gjinushi. Si aleatë të socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit, as PSD dhe as G99, ashtu si Paskal Milo, nuk mundën të siguronin një deputet në Parlament, duke mbetur larg tij për këtë legjislaturë. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të bashkohet me socialistët apo do të qëndrojë të funksionojë si parti e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›