E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Shanset për fitore, të mëdha”

Trajneri i kombëtares shqiptare U-21, Artan Bushati, shpreson që skuadra e tij të arrijë një rezultat pozitiv ditën e mërkurë ndaj Ishujt Faroe. Sipas trajnerit, atë që kuqezinjtë nuk mundën ta bënin me Italinë, një nga kundërshtaret më të forta të Europës, duhet ta bëjnë ndaj kundërshtarit të ardhshëm në fushën tonë. "Po vazhdojmë përgatitjet tona për të qenë gati në ndeshjen me Ishujt Faroe në fushën tonë. Shanset për të fituar i kemi të mëdha dhe, nisur nga kjo ne duhet t'i shfrytëzojmë sa më mirë ato", ka theksuar Bushati në fjalën e tij. Ai ende nuk e ka bërë të ditur formacionin që do të përballet në ndeshjen e radhës, por është shprehur se do të ketë ndryshime, edhe pse ndeshjet me Italinë dhe Ishujt Faroe nuk mund të krahasohen për nga shkalla e vështirësisë. Gjithsesi, në fjalën e tij ai kërkon impenjim maksimal nga futbollistët që do t'u besojë vendin e titullarit ditën e mërkurë në "Ruzhdi Bizhuta". "Do të hyjmë në fushën e lojës për një rezultat pozitiv dhe nuk ka dyshime që ne do të kërkojmë vetëm fitoren. Është një ndeshje që na duhet ta kalojmë për të arritur tri pikët e para në këto eliminatore. Mundësia është e madhe, por mbetet që ajo të shfrytëzohet në maksimum nga lojtarët që do të jenë të gatshëm në atë sfidë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›