Ndryshime në listën e Përfaqësueses së Kosovës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Edmond Rugova, në prag të ndeshjes kontrolluese ndërmjet Përfaqësueses së seniorëve dhe Përfaqësueses së Shpresave, e cila zhvillohet të mërkurën në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, ka bërë dy ndryshime në emëroren e futbollistëve të ftuar. Kësisoj për shkaqe personale, futbollisti i KEK-ut, Visar Zogiani nuk do të paraqitet në këtë ndeshje, pasi do të udhëtojë për në SHBA, pikërisht në ditën e ndeshjes. Kjo ka bërë që përzgjedhësi Rugova në vend të tij në emëroren e Shpresave ta përfshijë sulmuesin e spikatur dhe të talentuar të Drenicës, Leurant Dakaj. Ndërkohë tek Përfaqësuesja e seniorëve nga emërorja ka rënë Labinot Qosa, i cili është i lënduar dhe nuk ka mundësi të paraqitet në ndeshje dhe në vend të tij është ftuar portieri i KEK-ut, Artan Latifi. Përzgjedhësi Rugova ka bërë të ditur se tek seniorët ka rënë nga emërorja edhe emri i Bardhyl Kaciut, i cili është në sprovë tek një skuadër ruse. Do theksuar se grumbullimi i futbollistëve të Shpresave do të bëhet të martën në orën 11:00 në stadiumin e Flamurtarit, ku do të zhvillohet një stërvitje e lehtë, kurse prej ores 17:00 në të njëjtin stadium do të stërvitet Përfaqësuesja e seniorëve. Ndeshja ndërmjet Përfaqësueses së seniorëve dhe Shpresave do të zhvillohet të mërkurën, në orën 17:00.