Bushati: “Shpresoj të gjej lojtarë interesantë”

(ALBANIA SPORT) - Federata Shqiptare e Futbollit po i kushton një kujdes të posaçëm lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja, sidomos të atyre që aktivizohen me ekipe greke dhe italiane, ku janë instaluar edhe dy nga tre zyrat e posaçme të ngritura nga institucioni e futbollit. Në Greqi e Itali militojnë me skuadra të moshave një numër i madh futbollistësh që mund të shërbejnë si kandidatë potencialë për Kombëtaret U-21, U-19, U-17 dhe U-15.
NDRYSHIM SISTEMI
Nga data 18 deri më 20, trajnerët e Kombëtarëve U-21 dhe U-19, Artan Bushati dhe Ramadan Shehu, do të zhvillojnë stërvitje me talentet shqiptarë që gjenden në vendin fqinj, përkatësisht të datëlindjeve 1991-1992 dhe 1993-1994. Grumbullimin në Greqi të lojtarëve që u përkasin në moshë ekipeve U-21 dhe U-19 do ta ndjekë edhe trajneri i Kombëtares A, kroati Josip Kuzhe. Stërvitjet do të zhvillohen në Athinë, në fushën stërvitore në “Aias Tavru” në Pireos dhe Hamosternas, Tavros.
“Kemi ndryshuar sistemin e zbulimit dhe seleksionimit të lojtarëve kandidatë për ekipin Kombëtar U-21. Më parë, gjithmonë kishim zhvilluar zbore në data fikse në Shqipëri, në fillim të muajit janar, me lojtarë që vinin nga jashtë. Tani e bëmë më të udhës që të shkojmë drejt tyre, pasi në një farë mënyre minimizojmë edhe shpenzimet, por dhe nga ana jonë kemi bindjen se do të gjejmë lojtarë më cilësorë atje. Shumë prej tyre për shkaqe financiare ndoshta dhe janë kufizuar për të ardhur në Tiranë- tha për Albania-sport.com, trajneri i Shpresave, Artan Bushati.
LOJTARË INTERESANTË
“Të njëjtën gjë si në Greqi, do të bëjmë shumë shpejt edhe në Itali, e më pas edhe në Gjermani, atje ku ndodhet edhe zyra e tretë e talenteve të organizuar nga federata jonë. Ende nuk janë fiksuar se data, por është e programuar që deri në përfundim të muajit mars të përfundojnë grumbullimet e seleksionimet”, - theskon Bushati, që ka ardhur në krye të Kombëtares U-21, në nëntor të vitit 2005.
Gjatë vitit 2009, Kombëtarja U-21 zhvilloi 9 ndeshje, nga këto 7 zyrtare, duke arritur një bilanc prej 2 fitoresh, 1 barazim dhe 6 humbje. Shumë lojtarë aktualë janë në përfundim të limitit të lejuar të moshës dhe trajneri Bushati është në kërkim të fytyrave të reja. “Shpresoj të gjej lojtarë interesantë që të na shërbejnë edhe neve në të ardhmen, por sita e seleksionimit do të jetë shumë serioze”, - shtoi Bushati, që e ka marrë në dorëzim Kombëtaren U-21 nga Hasan Lika.
LISTË E PASUR
Menaxheri i ekipit Kombëtar U-19, Elton Gjipali, tha për Albania-sport.com se ai është në kontakte të vazhdueshme me përgjegjësin e zyrës së talenteve në Greqi, Vangjel Çavo.
“Një listë paraprake të lojtarëve që do të vinë në grumbullim tashmë e kemi. Janë të paktën 22 lojtarë të konfirmuar, të datëlindjeve 1990 dhe 1991. Komunikoj thuajse përditë me Çavon, si për lojtarët ashtu dhe për detajet e tjera të organizimit të grumbullimit treditor në Greqi. Do të ketë një bashkim të lojtarëve të dy datëlindjve, 1990 dhe 1990”, - theksoi Gjipali.
Në listën paraprake midis të tjerëve janë lojtarë si Aleksandër Ziu (Asterias Tripolis), Vangjel Jakupi (Yfesto Peristeri), Rafael Çaushaj (Thiela Patron), Erind Prifti dhe Ermir Mezini (të dy të Larisës), Stiv Frashëri (Aris), Fatjon Andoni (Ethnikos Ateras), Kristaq Canga (Ergotelis), Griseland Hoxhaj (Levadiakos), Angjelo Kostaqi (Dafni), etj.
KUALIFIKUESET EURO 2011
Shqipëria pas shtatë ndeshjesh në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë dhe 5 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë, po 2).
Grupi 10 kryesohet nga Skocia dhe Bjellorusia, të dyja nga 12 pikë. Austria ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, Shqipëria e parafundit me 4 pikë dhe Azerbajxhani i fundit me asnjë pikë.
Takimi i fundit i Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 do të luhet në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010.