E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Vota u deformua nga korrupsioni elektoral

Partia Socialiste reagoi dje pas publikimit të raportit përfundimtar të KSHH-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti i kësaj partie, Ditmir Bushati, deklaroi se në raport janë reflektuar mjaft prej shqetësimeve që ka shprehur edhe PS-ja.

"Vota e sovranit u deformua përmes një korrupsioni elektoral para, gjatë, pas fushatës dhe shfaqja më e shëmtuar në historinë e zgjedhjeve qysh pas vitit 1996, ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kthyer në një instrument ilegal përmes vendimmarrjesh ilegale e tërësisht politike", vërejti Bushati.

Sipas tij, raporti në të njëjtën frymë me atë të misioneve ndërkombëtare rikonfirmon për të disatën herë shkeljet në procesin zgjedhor që ndikuan në tjetërsimin e votës. Shkelje që, sipas tij, kanë të bëjnë me mohimin e votës për një kategori të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, abuzimin me asetet shtetërore dhe presionin mbi nëpunësit e administratës publike. "Parregullsitë me listat e votimit, votimin familjar, mosaplikimin korrekt të bojës shënjuese që shmang votimin më shumë se një herë, vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private të militantëve të Partisë Demokratike dhe ndërhyrjet e presionet gjatë procesit të numërimit", theksoi Bushati.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›