Korçë, së shpejti impiant i ri për mbetjet urbane
Së shpejti një impiant rajonal për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane në zonën e Korçës. Bëhet fjalë për një sistem të ri për menaxhimin e mbetjeve urbane në rang qarku, i cili do të realizohet në juglindje të vendit me mbështetjen e bankës gjermane KFË. Aktualisht ka përfunduar faza studimore, ndërkohë që është përcaktuar vendi ku do të kryhet grumbullimi i mbeturinave. Mësohet se është caktuar një fushë në zonën e Maliqit me një sipërfaqe prej 10 ha. Ndryshe nga pikat e zakonshme të grumbullimit të mbetjeve që shkaktojnë një ndotje të lartë mjedisore, që rrezikojnë kontaminimin e ujërave nëntokësore dhe kanë efekte negative për shëndetin, është premtuar se impianti i ri do të evitojë efektet dhe pasojat negative mjedisore. Ky do të jetë impianti i parë i këtij lloji në vendin tonë për menaxhimin e mbetjeve urbane, ku do të kryhet depozitimi në rang rajonal dhe përpunimi sipas llojit të mbetjeve për një periudhë 20- vjeçare. Administratorja e shoqërisë për menaxhimin e mbetjeve urbane, Vjollca Kostreci, thotë se tashmë ka përfunduar faza studimore për ndërtimin e impiantit, ndërkohë që pritet të kryhen procedurat ligjore gjatë këtij viti për t‘i hapur rrugë zbatimit të projektit. Sipas Kostrecit, mendohet që projekti të përfundojë brenda vitit të ardhshëm dhe do të funksionojë për një periudhë 20-vjeçare nën administrimin e aksionerëve, që janë 23 komuna dhe 5 bashki të Qarkut të Korçës. Shpresohet që impianti do t‘i japë fund hedhjes së mbetjeve në fusha të hapura dhe djegies së tyre, ndërsa përpunimi sipas kategorive në një sistem të mbyllur do të mbrojë mjedisin nga ndotja. Sipas projektit të financuar nga pala gjermane dhe banka KFË, është përcaktuar që ekspertë gjermanë do të sigurojnë edhe mbështetjen teknike gjatë fazës së zbatimit.