INSTAT: Bien kostot e materialeve të ndërtimit në Shqipëri
Të ndërtosh në Shqipëri kohët e fundit ka filluar që të kushtojë më pak se më parë, por në ndryshim nga kjo, çmimet e apartamenteve në shitje mbeten ende të larta. Sipas Institutit të Statistikave bëhet e ditur se në tremujorin e dytë të vitit 2009, indeksi i kushtimit në ndërtim arriti në 128.4 për qind (Trem.IV 1999=100), duke shënuar një rënie prej 0.1 përqindësh kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, indeksi i kushtimit në ndërtim ka shënuar një rritje 0.04 për qind. Sipas INSTAT-it, indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është ulur 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi, ulja më të madhe prej 0.4 për qind vihet re në nëngrupin “Shpenzime makinerie”. Indeksi i nëngrupit ”Shpenzime materiale” është ulur me 0.3 për qind, ku veçohet ulja e çmimeve të materialeve të ndërtimit me 0.3 për qind dhe rritja e çmimeve të materialeve elektrike me 2.9 për qind. Indeksi i nëngrupit “Shpenzime transporti” ka shënuar rritje prej 0.2 përqindësh, ndërsa indeksi i nëngrupit “Shpenzime makinerie” shënoi një ulje prej 0.4 përqindësh. Ndryshimet tremujore në grupet e tjera variojnë nga 0.3 për qind në 2.5 për qind.
Gjykata Administrative, USAID-i nis trajnimin e stafit
Në pritje të miratimit të ligjit, USAID-i ka nisur punën për trajnimin e stafit që do të punojnë në Gjykatën Administrative. Në kuadër të Marrëveshjes në Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit, SHBA ka dhënë mbështetje për qeverinë shqiptare, si në hartimin e ligjit, ashtu edhe në ngritjen e funksionimin e strukturave. Gjykata Administrative shikohet nga biznesi si i vetmi institucion i pavarur, në funksion të trajtimit të ankesave për çështje të ndryshme. Në morinë e disa marrëveshjeve, USAID ka nisur bashkëpunimin me Shkollën e Magjistraturës për të trajnuar gjykatësit dhe personelin e gjykatave të ardhshme administrative, si edhe për të siguruar mbështetje në pasurimin e kursit ekzistues për drejtësinë administrative në programin bazë të kësaj shkolle. Projekti do të përgatisë dhe ofrojë një total prej dhjetë kursesh trajnimi lidhur me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me konceptin dhe praktikën e drejtësisë administrative, çështjet e organizimit të punës në gjykata, si edhe aplikimin e zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit në menaxhimin e çështjeve gjyqësore. Kurset e para të trajnimit, të cilat janë aktualisht në hartim e sipër, do të përqendrohen te administrata gjyqësore dhe e drejta administrative e krahasuar.
27 Gusht 2009