E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati i kënaqur me alternativat e U-21

Grumbullimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit me talentet që aktivizohen jashtë Shqipërisë kanë vazhduar dje me testimin e kandidatëve për Kombëtaren U-21. Nën urdhrat e trajnerit Artan Bushati u paraqitën 22 lojtarë, të cilët militojnë në liga të ndryshme në Greqi, Gjermani, Suedi, Francë e Amerikë. Nga Kompleksi i Ekipeve Kombëtare në Kamëz, drejtuesi i stolit të kuqezinjve "të vegjël" u shpreh optimist për kontingjentin që stërviti, gjithsesi pa u zhbalancuar. "Është një grumbullim me lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë. Ky testim ka si synim njohjen e vlerave të tyre. Gjithsesi mund të them se kam në dispozicion një grup lojtarësh që janë mjaft interesantë. Pas stërvitjes së fundit (asaj të ditës së sotme) shpresoj se do të jemi në gjendje të japim edhe një opinion përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tyre me përfaqësuesen U-21". Mbi të gjithë spikat prezenca e sulmuesit Shqipon Bektashi. 18-vjeçari i lindur në Preshevë, luan me Fraiburgun në Bundesligën II dhe cilësohet si një talent me shumë të ardhme. Bektashi, autor i 14 golave me ekipin U-19 të Fraiburgut, ka kontratë si profesionit deri në vitin 2011 me klubin gjerman dhe kërkohet nga përfaqësueset e moshave të këtij vendi. Por, ai ka konfirmuar se dëshiron të përfaqësohet vetëm me fanellën kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›