E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi, mes getos dhe metropolit

Kontrastet dhe kontradiktat e kryeqendrës më të çuditshme të Evropës - Shkupit, nuk kanë lënë pa e mbërthyer edhe këtë periudhë postfeste - pas Vitit të Ri, kryeqytetin e Maqedonisë. Dallimet e mëdha (që fatkeqësisht po shndërrohen pothuajse në emblemë të këtij qyteti) ndërmjet anës veriore (ku jetojnë kryesisht shqiptarët) dhe anës jugore (ku jeton shumica maqedonase) nga lumi Vardar, nuk kanë shënuar ndonjë orvatje, përpjekje serioze për t‘u amortizuar edhe gjatë vitit që e përfunduam. Përkundrazi, hovi i investimeve në anën jugore të qytetit ka vazhduar me ritmin e mëhershëm, ndërkohë që në anën veriore, fjala "investim" pothuajse tërësisht është harruar.

Në anën jugore të Shkupit, edhe aktualisht, në ditët e para të vitit 2009 vërehen bredha të stolisur, kafeteri të mbushura me diplomatë që vijnë nga sallone aristokratike, pallate rrokaqiej me reklama të mbushura gjithandej, si edhe një ambient ende, festiv apo postfestiv.

Mirëpo, kur hedh shikimin nga ana "shqiptare e Shkupit", vëren disa shtëpi të ulëta, një konglomerat të pazakontë ndërtimi, rrëmujë trafiku nga bora që sa ka rënë, njerëz që ndajnë ndihma humanitare, fëmijë që janë zgjuar nga orët e hershme të mëngjesit dhe përpiqen të shesin më tepër çamçakëz ose ndonjë pako cigaresh, që të fitojnë ndonjë lekë më tepër. Dhe, pikërisht këtu, ku bëhet "biznesi i madh" nga cigareshitësit dhe shitësit e mitur të pushkaliqeve e fishekzjarrëve, policia ka vënë shënjestrën duke dashur, si përherë, të gjejë ndonjë "element të rrezikshëm". Shih "suksesin" e policisë që "lufton korrupsionin" dhe "krimin e organizuar".

Hë, pra, ky është Shkupi, ku qeveritë (në përgjithësi), sikurse edhe qeveria e sotme, gjatë vitit që lamë pas, na i kishte "shurdhuar" veshët duke na bindur se po bëjnë hapa "marramendës" përpara, në kontekst të integrimit të vendit në Familjen e madhe Evropiane - Bashkimin Evropian.

A thua cili do të jetë kuptimi i integrimit në Evropë, për "destabilizuesit e rendit" - fëmijët shitës të fishekzjarrëve dhe çamçakëzëve?

Pra, kryeqendra e Maqedonisë, e cila pretendon të jetë pjesë e Familjes Evropiane, vazhdon të mbetet shtet i armatës së madhe të të papunëve, të cilët ngushëllimin e vetëm në këtë shtet e shohin në muhabetet e përhershme mbrëmjeve nëpër kafene, duke diskutuar o për premtimet dhe përplasjet e kota të politikanëve, ose duke komentuar episodin më të ri të TV serialeve latino-amerikane, nga të cilët të paktën "mësojnë" për befasitë dhe ëndrrat e përbotshme! Aty gjejnë "ngushëllimin" e vetëm!

Shkupin, partitë e deritanishme shqiptare, asnjëherë nuk e panë me sy të realistit, sepse ata asnjëherë nuk bënë atë që duhet bërë, atë për të cilën e morën votën, të paktën nga shkupjanët. Nuk arritën të sjellin një investim kapital në pjesën veriore (shqiptare), që më shumë i përngjan një getoje, se sa një pjese të kryeqytetit.

Ata nuk u munduan asnjëherë që "reflektorin" e investimeve ta kthejnë edhe nga ana veriore. Me siguri këtë e bëjnë që të mos shihet kontrasti zhvillimor dhe real i qytetit. Komenti është i tepërt. Veprojnë në mënyrë të "sofistikuar politikaneske": interesi personal dhe grupor në rend të parë: Njërën mendojnë, tjetrën e thonë, krejtësisht diçka tjetër veprojnë.

Shkupi (sidomos pjesa e saj veriore), është qyteti i cili megjithatë "mendon" për të varfrit e kësaj pjese të qytetit, edhe atë duke iu shpërndarë dhurata simbolike, sa herë që afrohet mbrëmja më e hareshme e vitit. Pra, le të gëzohen në këtë ditë apo mbrëmje, edhe varfanjakët dhe bonjakët, në format e mënyrat e tyre, sikurse edhe pjesa tjetër e qytetarëve të pjesës jugore të kryeqendrës.

Sido që të jetë, jeta duhet jetuar dhe shijuar, sepse një herë jetohet. Prandaj, Gëzuar, me shpresë se ky vit megjithatë reflektorët investues do t‘i orientojë edhe nga pjesa veriore e Shkupit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›