Dede, zyrtarisht lojtar i Elbasanit
Pasi ka arritur marrëveshjen më 29 dhjetor, dje, Nevil Dede, e ka konkretizuar atë me prezantimin në radhët e ekipit të Elbasanit. Një gjë e tillë u bë sërish në prani të kryetarit të bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini, si dhe shefit të klubit, Artin Kovaçi. Gjatë prezantimit të Dedes, kryebashkiaku Sejdini deklaroi se "ky është vetëm fillimi i një merkatoje të studiuar që do të realizojë ekipi i Elbasanit, pasi verdheblutë pritet të nënshkruajnë marrëveshje edhe me futbollistë të tjerë cilësorë". Vetë Nevil Dede deklaroi më pas se "ka qenë dëshira e tij për t‘u rikthyer tek Elbasani, për ta ngjitur sërish këtë ekip në elitën e futbollit shqiptar dhe për të synuar fitimin e Kupës së Shqipërisë". Dede do të mbajë mbi shpinë fanellën me numrin katër, të cilën e ka mbajtur edhe në dy sezonet e mëparshme në këtë ekip.