E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna ime, Susan Sontag

Në "Swimming in a sea of death", David Rieff tregon 9 muajt e sëmundjes së të ëmës. Është një libër që flet për dhimbjen dhe për mënyrën se si ajo i ndryshon njerëzit. Gjithçka nisi në mars të vitit 2004, kur e ëma zbuloi se vuante nga një formë e rëndë e leucemisë, pasi kishte fituar edhe dy beteja të tjera me kancerin, fillimisht në gji e pastaj në mitër. Pas kësaj filloi edhe reagimi i saj prej intelektualeje, që u rebelua me vdekjen, e pasi bëri dhe një transplant palce, dha shpirt pa u pajtuar me fatin e saj. Ajo që e kishte bërë ndershmërinë intelektuale dhe të vërtetën si rregullin e jetës, i kërkoi djalit dhe gjithë atyre që e rrethonin, përfshi edhe mjekëve, që ta ndihmonin të mbijetonte. Në fund, në faqet më prekëse të librit, djali i largon të gjithë nga dhoma, i heq këmishën e natës së ëmës së vdekur dhe përshkruan trupin e mbuluar nga plagët. "Është një libër plot me pyetje", thotë David Rieff, 55 vjeç, që jeton në Nju Jork.

Ja disa pjesë shkëputur nga libri ku David tregon ditët e fundit të së ëmës të prekur nga leucemia dhe që humbi jetën më 28 dhjetor të vitit 2004.

"Sikur nëna ime të mos kishte krijuar aq shumë shpresa, do ishte njëlloj sikur të pretendoje të pamundurën. Gjatë gjithë jetës nëna ime vetëm ka shpresuar, ka shpresuar edhe në momente ekstreme dhe kundër çdo evidence, nëse ishte e nevojshme. Me këtë nuk dua të them që ishe një person alegro. Përkundrazi, thuajse gjithmonë luftonte kundër depresionit. E kuptoi vërtet, vetëm kur në faqen e parë të njërit prej ditarëve të saj, që shkroi menjëherë pas operacionit kirurgjikal për tumorin në gji, lexova shprehjen: "Dëshpërimi do të bëjë të lirë". Disa muaj pas vdekjes së saj vendosa të lexoja ditarët. U preka shumë kur pashë se sa shpesh dhe sa shumë kishte qenë e palumtur". Në librin e David Rief, ajo që të godet më shumë është dëshira e jashtëzakonshme e shkrimtares për të jetuar, e cila ishte e bindur se do ta kalonte edhe këtë provë, pasi ishte prekur edhe dy herë të tjera më parë nga kanceri. Megjithatë, shkruan i biri, ekzistenca e saj ishte përndjekur për një kohë të gjatë nga zhgënjimet dhe dhimbjet, me të cilat David u ndesh gjatë leximit të ditarëve dhe takimeve të lëna nga e ëma. Një tjetër element qendror në librin e Riefit është edhe pelegrinazhi i gjatë dhe i dhimbshëm nga një klinikë në tjetrën. Për nënë e bir është një torturë e vërtetë që vazhdon deri në përpjekjen e dhimbshme e dëshpëruese të transplantit të palcës që shënoi edhe humbjen përfundimtare të betejës së saj me sëmundjen. Ja një fragment ku ai e përshkruan me hollësi gjithë këtë. "Ka momente ku do të doja të vdisja në vend të saj. Është kjo ndjenja e fajit të atij që mbijeton? Pa dyshim që është edhe kjo, por jo vetëm kjo... Ime më, që kishte frikë nga vdekja më shumë se çdo gjë tjetër, ishte e terrorizuar nga afrimi i saj. Pak para se të vdiste, iu drejtua një prej infermiereve -një grua e mrekullueshme që u kujdes për të sikur të ishte vajza- i tha: ‘Po vdes‘, dhe nisi të qajë. Megjithatë, edhe pse sëmundja ishte e pamëshirshme, vdekja u tregua e mëshirshme me të". Pas vdekjes së të ëmës, momentet e fundit të së cilës i përshkruan me shumë dhimbje, Rief vendosi ta varrosë në Paris. Para së gjithash sepse mendon se varrezat evropiane janë më njerëzore dhe më pak të trishtueshme se ato amerikane dhe së dyti sepse donte të sanksiononte dashurinë e saj me kontinentin e vjetër, sidomos me kryeqytetin francez, Parisin. Udhëtimi i fundit i kufomës nga Nju Jorku në Paris u bë në mbrëmje me avionin të cilin Suzan e merrte shpesh. Përkrah saj, në Montparnase, prehen emra të tjerë të mëdhenj të letërsisë, sikur të gjithë së bashku i bëjnë shoqëri njëri-tjetrit. Ja se çfarë shkruan David:

"Është varrosur në Paris, në varrezën e Montparnasit. Nëse hyn nga dera kryesore në bulevardin ‘Edgar Quinet‘ dhe i drejtohesh vendit ku ndodhet varri i saj, ai gjendet menjëherë në të djathtë të asaj të Simone de Beauvoir. Eshtrat e Samuel Beketit prehen nën një pllakë të thjeshtë graniti ngjyrë gri, vetëm pak metra larg mermerit të zi dhe plot shkëlqim që mbulon kockat dhe gjithçka që i ka ngelur trupit të balsamosur që i përket një shkrimtareje amerikane me emrin Susan Sontag, 1933-2004. E shpura trupin e nënës sime nga aeroporti ‘Kenedy‘ i Nju Jorkut deri në Paris me të njëjtin avion që ajo kishte fluturuar me qindra herë kur ishte gjallë. Ky ishte udhëtimi i fundit që bëmë së bashku. Sot, kur shkoj të shikoj varrin e saj, nuk di se çfarë të bëj tjetër përveçse të vendos pak rregull (një shkëmbim i pabesueshëm rolesh). Kur shkoj atje, qëndroj duke parë për disa momente. Pastaj bie në gjunjë, puth pllakën e granitit dhe ngrihem sërish. Në fund largohem me shpejtësi dhe konfuz, duke kaluar sërish përpara Beketit dhe Simone de Beauvoir.

"Reborn"

Pas librit "Swimming in a sea of death", David Rief i ka bërë një tjetër homazh së ëmës me vëllimin "Reborn" që vetëm pak ditë më parë u publikua në SHBA. Në të përmblidhen ditarët dhe fletoret e takimeve të lëna nga Susan Sontag. Këtu shkrimtarja shkruan se arrin të shprehet "më hapur se me çdo njeri tjetër" dhe në fund tregon: "Vetëm këtu i besoj vetvetes". Kur shkroi këto fjalë, Sontag ishte vetëm 24 vjeçe dhe e martuar prej shtatë vjetësh me një profesor që ishte 11 vjet më i madh se ajo. Kishte një djalë, por e tërhequr nga lesbizmi ishte në prag të divorcit. Në ditarë shkruhet se "martesa është e bazuar në parimet e inercisë, jo te dashuria". Ditarët tregojnë edhe se sa e ndjeshme ishte autorja. Ajo tregon për gratë që donim më shumë se sa i donte ajo. Në vitin 1957 arriti të hapte dritaret e partnerit të saj, që e citon vetëm me shkronjën H, pasi ishte gazetar i "Herald Tribune", dhe lexoi se ai ishte shumë indiferent ndaj saj dhe qëndronte me të thjesht për bashkëjetesë. "Vetëm Zoti e di sa më bën të vuaj dhe sa zhgënjyese dhe poshtëruese është kjo", shkruante. Në fund thotë se ndihet në faj që ka lexuar pjesë nga një ditar që nuk i përkiste dhe thekson se "një nga parimet shoqërore të ditarëve është pikërisht leximi i tij në mënyrë të fshehtë nga njerëzit e tjerë me të cilët je treguar i sinqertë vetëm në ditar". Disa rrëfime të tjera intime tregojnë se tekstet e gjetura në ditarë nuk ishin censuruar apo ndryshuar aspak.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›