Mediu: Ne po ndërtojmë historinë tonë
Turi i takimeve të kreut republikan, Fatmir Mediu, ka vijuar në Ballsh. Në fjalën e tij, Mediu tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më transparentet dhe më të rëndësishmet e këtyre 18 viteve. Ai shprehu bindjen se shqiptarët do të votojnë koalicionin e djathtë, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Të votojmë me bindje, se jemi nisur në atë drejtim që na ka përcaktuar historia. Nëse të tjerët kanë bërë histori më parë, edhe ne gëzojmë sot këtë Shqipëri, që këtej e tutje ne po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë historinë tonë, historinë e Shqipërisë në BE, me besimin dhe shpresën se po ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë, për prindërit tanë, të ardhmen për Shqipërinë që duam", theksoi Mediu. "Ne, u shpreh ai, me besimin te liria ndërtojmë të ardhmen tonë". "U bashkuam në 2005, për të ndërtuar të ardhmen që na takon, për Shqipërinë që duam. NATO është një marrëdhënie historike e padiskutueshme, për shqiptarët dhe për marrëdhëniet tona në botë, për identitetin tonë kombëtar", nënvizoi Mediu. "4 prilli, u shpreh ai, për mua ka qenë ditë e madhe, kur puna, reformat dhe suksesi ynë i përbashkët u finalizua me anëtarësimin në NATO".