E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat: Firmat e boshnjakut Fazliç, pa aktivitet

Nga Klodiana Lala
Prokuroria merr dokumentacionin zyrtar nga doganat: Kompanitë e serbo-boshnjakut Damir Fazlic janë inaktive, nuk kanë kryer import apo eksport mallrash. Hetohet veprimtaria në këshillat mbikëqyrës. 

TIRANE- Kompanitë e Damir Fazliç, serbo-boshnjakut i cili dyshohet për pastrim parash në Shqipëri, nuk kanë kryer import apo eksport mallrash dhe për pasojë, nuk kanë paguar asnjë qindarkë në dogana. Lajmi pohohet nga burime të besueshme të Prokurorisë së Tiranës, që po hetojnë rreth veprimtarisë së Fazliç në Shqipëri. Doganat i janë përgjigjur shkresës së organit të akuzës, që kishte kërkuar informacion të detajuar për kompanitë e biznesmenit, nëse kishte kryer veprimtari që kishin të bënin me import-eksportin, dhe nëse po, a kishte shlyer të gjitha detyrimet doganore. “Dogana na ka kthyer përgjigje për disa nga kompanitë e Fazliç, por jo për të gjitha. Për këto të fundit na është kërkuar numri i NIPT-it (Numri i Identifikimit të Personit të Tatueshëm), me qëllim që të kryejnë veprime të shpejta”, - tha një burim nga prokuroria. Duke iu referuar të njëjtin burim, rezulton se kompanitë e Fazliç nuk kanë kryer aktivitet. “Aktivitet kanë kryer disa nga kompanitë e tjera, në të cilat Damir Fazliç është anëtar i grupit mbikëqyrës”, - saktësojnë burimet.
Aktiviteti
Shoqëritë tregtare të Damir Fazliç nuk kanë kryer asnjë aktivitet në Shqipëri. Ky fakt është zbuluar nga prokuroria, pasi ka marrë përgjigje nga Doganat. Në shkresën që tashmë ndodhet në duart e hetuesve, rezulton se serbo-boshnjaku nuk ka pasur asnjë kontakt me doganat, për shkak se shoqëritë e tij nuk kanë pasur aktivitet që kanë të bëjnë me import apo eksport të mallrave. “Doganat na kanë sjellë informacion rreth shoqërive ku Damir Fazliç është anëtar i grupit mbikëqyrës”, - pohuan burimet. Prokuroria do të presë përgjigjen e doganave dhe për katër kompanitë e tjera të serbo-boshnjakut, dhe më pas do të analizojë me detaje për të arritur në konkluzionin, nëse ka ndonjë element që përbën vepër penale të konsumuar nga Fazliç. Gjithashtu, pak ditë më parë, Drejtoria e Tatimeve i konfirmoi faktin prokurorisë, se kompanitë e Fazliç; “Virtu Acquisitions shpk”, “DF Trade Limited shpk”, “Croën Acquisitions shpk”, “Rompetrol-Albania sha”, “Aplha shpk”, “Rompetrol Distribution Albania shpk”, “Rompetrol Albania Ëholesale”, “Rompetrol albania Doënstream”, nuk kishin derdhur asnjë lekë në arkën e shtetit, pasi nuk kishin kryer aktivitet.
Hetimet
Shitja e kompanisë “Croën Acquisitions shpk”, me një vlerë prej 1.7 milionë euro kompanisë “Altaria research limited”, që serbo-boshnjaku Damir Fazliç ja kishte shitur vetes, shërbeu për nisjen e hetimeve ndaj tij, pasi dyshimet për pastrim parash ishin të shumta. Prokuroria ka kryer një sërë veprimesh që shërbejnë për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e Fazliç në Shqipëri. Por nuk ka në dorë asnjë deklarim të personazhit kryesor në tërë këtë histori, pasi tentativa për ta pyetur në lidhje me akuzat dështoi, për shkak se gjatë një vizite njëditore në Tiranë, serbo-boshnjaku u largua duke “shpëtuar” nga duart e prokurorëve. Madje, përpjekja e prokurorisë për ta ftuar Fazliç të jepte shpjegime, natyrisht me pëlqimin e tij, u shoqërua me përplasje të forta mes organit qendror të akuzës, të drejtuar nga Ina Rama dhe qeverisë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›