Flint: Të miratohet sa më parë Kodi Zgjedhor
LONDER- Rama nisi dje një vizitë disaditore në Britaninë e Madhe, me ftesë të Ministrisë së Jashtme Britanike. Gjatë ditës së parë të kësaj vizite, Rama është pritur nga ministrja e Shtetit për Europën, Karoline Flint. Ky takim është konsideruar nga palët si një mundësi e mirë për t’u informuar e për të vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme elektorale që priten të mbahen në Shqipëri. Ministrja Flint ka shprehur besimin e saj se Shqipëria do vazhdojë të bëjë një politikëbërje të matur. Në këtë takim, ministrja Flint përgëzoi dhe vlerësoi rolin e opozitës dhe Edi Ramës për anëtarësimin në NATO. Me një ftesë drejtuar politikës shqiptare, ministrja britanike për Europën, tha se “Kodi Zgjedhor duhet të miratohet sa më parë, në mënyrë që të kalohet në fazën më të rëndësishme, atë të implementimit të tij”. Gjatë këtij takimi, ministrja e Shtetit për Europën në Britaninë e Madhe, Flint vuri theksin tek rëndësia që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Shqipërinë, si një kusht për proceset integruese të vendit. Kryetari i PSSH-së, Edi Rama vlerësoi gjithashtu gjatë këtij takimi rëndësinë që kanë për të dhe Partinë Socialiste zgjedhjet e ardhshme. Rama nënvizoi rëndësinë e përgatitjes sa më parë të infrastrukturës zgjedhore, duke veçuar elementët themelorë, regjistrin kombëtar civil, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Deklarata e ministres britanike vjen në një kohë që partitë janë në mbyllje të kodit të ri zgjedhor dhe pritet miratimi i tij në Kuvend.
(s.g/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)