Bushi: Jam në shërbim të ekipit
08/02/2005 Ekipi kombëtar dje ka zhvilluar stërvitjen e parë me të gjithë futbollistët e grumbullar nga trajneri Brigel. Me ekipin është bashkuar edhe golashënuesi më i mirë i kuqezinjve, Alban Bushi, i cili ka shprehur dëshirën që të arrijë të shënojë edhe në ndeshjen kundër Ukrainës. “Shpresoj shumë që në një sfidë kaq delikate për skuadrën tonë unë të arrij të shënoj në portën kundërshtare”. Sulmuesi që luan në kampionatin turk ka shënuar golin e fundit për kuqezinjtë në ndeshjen klundër Kazakistanit, në fushë kundërshtare. Ndërkohë, Bushi ka pranuar se sfida përballë skuadrës së drejtuar nga Blohin, është me të vërtetë shumë e rëndësishme. “Normalisht që kjo përballje me Ukrainën është me të vërtetë shumë e rëndësishme për ne. Tashmë pas një starti me të vërtetë shumë të mirë që i kemi bërë këtyre eliminatoreve i kemi të gjitha mundësitë për të shpresuar në një kualifikim. Megjithatë, në njëfarë mënyre duhet pranuar se kualifikimi ynë për në botërorin e ardhshëm kalon pikërisht nga kjo ndeshje kundër Ukrainës. Nëse do të arrijmë të fitojmë është e sigurt se shanset tona për një kualifikim të mëtejshëm janë me të vërtetë shumë më të mëdha” vijon më tej Bushi. Përsa i përket një aktivizimi të mundshëm duket se ky fakt për lojtarin nuk përbën asnjë problem. “Ne vijmë në këtë ndeshje me qëllimin e vetëm për të marrë maksimumin, në një sifdë shumë delikate. Ka me të vërtetë shumë pak rëndësi se kush futbollsti e nis ndeshjen si titullar. Unë mund të siguroj vetëm se të gjithë ato që do të luajnë, në fushën e lojës do të japin maksimumin. Për mua dhe për të gjithë shokët ajo që ka rëndësi është skuadra. Unë nga ana ime do të pranoj të gjitha vendimet e trajnerit Brigel, dhe nëse do të kërkohet kontributi im në këtë sfidë dihet shumë mirë se unë do të jem i gatshëm ta jap këtë të fundit. Shpresoj shumë që në këtë ndeshje të arrijmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të marrim një rezultat pozitiv. Ashtu siç e thashë në rast të një fitoreje shanset tona për një kualifikim janë me të vërtetë shumë të mëdha”, përfundon sulmuesi i kombëtares Alban Bushi.