Ossie Davis takon Luther King në Parajsë
08/02/2005 Para shumë vitesh ai do të mbante një fjalim në varrimin e mikut dhe bashkëluftëtarit të tij për të drejtat e njeriut dhe të afroamerikanëve, Martin Luther King, ndërsa tani do të ketë mundësinë të takohet me të në Parajsë. Disa ditë më parë, zemra do ta tradhtonte Ossie Davis, aktorin 87-vjeçar, duke e ndarë nga filmi dhe të afërmit e tij. Ai vdiq në një hotel në Miami Beach, aty ku aktori para shumë vitesh kishte luajtur filmin "Retirement". Të gjitha teatrot e Broadway ulën dritat e tyre një minutë të premten në mbrëmje në shenjë nderimi për aktorin e madh, i cili ka prekur kufijtë e legjendës. Ai ka luftuar për një kohë të gjatë si aktivist i palodhur për të drejtat e njeriut dhe të afroamerikanëve, duke mbajtur fjalimet mortore në ceremonitë e varrimit si të Martin Luther King Jr. Ashtu edhe të Malcolm X. Ai do t'u jepte zë "United Negro College Fund", me sloganin e famshëm "Një mendje është një gjë e tmerrshme kur humbet". Ai do të thyente të gjitha barrierat për aktorët afroamerikanë në televizionet amerikane, duke marrë role protagonistësh dhe duke krijuar një reputacion absolut me karakterin e tij të spikatur në SHBA. "Në të gjitha rolet që ai luajti, ai ishte një model standard i dinjitetit dhe integritetit", u shpreh Madeleine Moore, mikja e tij më e ngushtë. "Edhe kur ai ishte aktor i ri, ai mëshironte urtësi, një individ, i cili me shumë zgjuarsi diti të kishte një qëllim, një kuptim dhe të zinte vend në historinë e popullit të tij", ka theksuar Moore. Ndërsa miku i tij, De Graff, u shpreh se "kudo dhe sa herë që një çëshjte e të drejtave të njeriut ishte në diskutim, Ossie Davis, në një mënyrë apo në një tjetër do të ndodhej aty, me zërin dhe qëndrimin e tij. Ai është një humbje e madhe për të gjithë afroamerikanët, por edhe për të gjithë amerikanët në përgjithësi".