Tifozeria shkodrane gati për Shpresat
08/02/2005 Ekipi ynë ,Shpresa, do të zbresë sot ,në orën 14.00,në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës për t’u përballur me homologët e tyre ukrainas. Nga FSHF-ja është përzgjedhur ky stadium këtë radhë për të pritur kuqezinjtë e “vegjël”, të cilët do të kërkojnë suksesin. Ethet e këtij takimi në Shkodër kanë filluar të ndihen që prej 10-ditësh, kohë që lidhet me hedhjen e biletave për këtë ndeshje, në shitje. Çmimi i biletave ka variuar nga 3 mijë dhe në 4 mijë (të vjetra), çmim i arsyeshëm ky për një takim ndërkombëtar, dhe mësohet se deri tani janë shitur një numër i konsiderueshëm. Një fakt i tillë tregon haptazi edhe njëherë mbështetjen që qyteti verior do t’u japë në këtë takim kuqezinjëve të. Ndonëse shkodranët shquhen për përkrahjen që i japin skuadrës së Vllaznisë, ata nuk ngurojnë t’i japin mbështetjen e tyre edhe ekipeve kombëtare. Për çdo shqiptar mbështetja që i bën ekipit kombëtar është një obligim ndaj flamurit dy ngjyrësh.Pikërisht një rast të tillë tifozeria shkodrane nuk dëshiron ta humbasë, aq më tepër që të jepet mundësia për një përkrahje të tillë është privilegj. Akoma ruhet e freskët në mendjen e të gjithëve takimi Shqipëri –Rusi, i cili përfundoi në favorin tonë me rezultatin 3-1. Ishte ky rezultat i arritur në stadiumin “Loro Boriçi” që na beri tëgjithë ne,të ëndërrojmë për të tjera suksese. Nuk mohohet merita e lojtarëve tanë kuqezinj në përballjen ndaj rusëve, por duhet pranuar edhe fakti tjetër se mbështetja e tifozëve në stadium ishte e jashtëzakonshme. E njëjta mbështetje dhe entuziasëm pritet të jetë edhe për ekipin tonë Shpresa në këtë takim,ndaj Ukrainës në “Loro Boriçi”. Ndonëse atmosfera entuziaste për këtë takim vazhdon të jetë vërtetë e madhe, në krahun tjetër klubi i futbollit të Vllaznisë në bashkpunim me FSHF-në ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të këtij takim. Sipas sekretarit të klubit të Vllaznisë, Ismet Hoxha, çdo gjë është në vendin dhe kohën e duhur për takimin e ekipeve Shpresa. “Gjithçka do të funksionojë shumë mirë sipas normave që kërkohen nga UEFA”, shprehet Hoxha. Tashmë gjithçka pritet të startojë, duke shpresuar për një rezultat pozitiv. Siç mësohet nga burime të FSHF-së të dy ekipet Shpresa, përkatësisht ai i Ukrainës dhe ekipi ynë janë akomoduar në Shkodër pasditen e së hënës, në mënyrë që të jenë të gatshëm për ditën e sotme kur do të luhet dhe ndeshja.