Bushi kritikon aksionet ushtarake ruse në Gjeorgji
Presidenti amerikan Bush shkon në ofensivë me diplomacinë e tij. Ai kritikoi aksionet ushtarake ruse me gjithë arritjen e armëpushimit dhe dërgon marinën amerikane me ndihma humanitare në Gjeorgji. Me forcimin e presionit diplomatik ndaj Rusisë dhe me ndihmat direkte humanitare të ushtrisë amerikane për Gjeorgjinë, presidenti amerikan Xhorxh Bush reagoi të mërkurën ndaj zhvillimeve të fundit në Gjeorgji. Presidenti theksoi në kopshtin e trëndafiltë të Shtëpisë së Bardhë fillimisht solidaritetin me qeverinë gjeorgjiane. Ai kërkoi nga Rusia përsëri të mbajë premtimin e vet dhe të respektojë kushtet e armëpushimit, të cilin rusët e kanë pranuar. “Për fat të keq ne na vijnë njoftime, që nuk përputhen me këto pohime ruse. Ne jemi të shqetësuar për raportet se trupat ruse kanë zënë pozicione në lindje të Gorit, prej ku ata bllokojnë autostradën gjeorgjiane, në mënyrë që të mund të ndajnë vendin dhe të kërcënojnë kryeqytetin Tbilis”.
Masat amerikane
Shqetësim ka edhe për njoftimet, sipas së cilave, ushtria ruse ka zënë pozicione në qytetin port të Potit dhe do të shkatërrojë anije gjeorgjiane. Ai është i shqetësuar që popullsia gjeorgjiane nuk është e mbrojtur nga sulmet. Prandaj ai ka urdhëruar marrjen e një sërë masave. “Unë do të dërgoj ministren e Jashtme amerikane, Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice) në Francë, ku do të bisedojë me Sarkozinë (Nicolas Sarkozy). Ajo do të shkojë pastaj në Tbilis, ku do t´i sigurojë personalisht qeverisë demokratike gjeorgjiane se SHBA-të mbajnë fort anën e Gjeorgjisë“. Si Rajs ashtu edhe ministri i Mbrojtjes, Gejts (Robert Gates) ndodheshin në krah të presidentit, kur ky deklaroi më tej, se ka ngarkuar Gejts, me fillimin e një aksioni humanitar të ushtrisë amerikane, për të ndihmuar popullsinë civile. “Ky mision do të aplikohet në mënyrë energjike dhe të vazhdueshme. Një avion ushtarak me ndihmë humanitare është tashmë rrugës. Dhe në ditët e ardhshme me ndihmën e avionëve amerikane dhe marinës amerikane do të dërgojmë të tjera ndihma humanitare dhe mjekësore. Ne presim, që Rusia t´i mbajë premtimet e saj, për të lejuar në vend të gjitha format e ndihmave humanitare“. Përveç kësaj, qeveria amerikane pret që Rusia të mbajë hapur siç ka premtuar, të gjitha rrugët e komunikimit për civilët dhe ndihmën humanitare. Të gjitha veprimet luftarake, thotë Bushi, duhen ndërprerë dhe të gjitha trupat ruse, të cilat në ditët e fundit kanë hyrë në Gjeorgji, duhet të largohen përsëri nga ky vend. SHBA-të, deklaroi presidenti, do të kishin mbështetur përpjekjet ruse për integrim në strukturat perëndimore. Këtë mbështetje qeveria ruse tani po e vë në lojë.
Rajs
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, ka arritur në Francë për bisedime me presidentin francez, Nikolas Sarkozi. Pas Francës, zonja Rajs niset për në Tbilisi të Gjeorgjisë. Sekretarja amerikane e Shtetit ka arritur në jug të Francës për bisedime me presidentin francez Nikolas Sarkozi. Ky i fundit ishte autor i armëpushimit të arritur në konfliktin në Gjeorgji, duke ndërmjetësuar në emër të Bashkimit Europian.
Pas Francës, zonja Rajs do të udhëtojë drejt Gjeorgjisë për të dëshmuar mbështetjen amerikane ndaj qeverisë në Tbilisi të zgjedhur në rrugë demokratike.
Ndihmat
Zëdhënësi i Pentagonit, Brajën Uitman, pohon se ekipi i ushtarakëve mbërriti në Tbilisi mbrëmë vonë për të punuar me zyrtarë lokalë dhe me punonjës të Ambasadës Amerikane në Gjerogji, për vlerësimin e nevojave humanitare. Po ashtu, dje mbërriti në Tbilisi edhe avioni i parë me ndihmat amerikane, me batanije, ilaçe dhe pajisje të tjera të emergjencës. Për sot është në plan të dërgohet një tjetër avion me ndihma dhe për ditët që do të vijnë, zoti Uitman tha se ekipi i ushtarakëve amerikanë do të përcaktojë ndihmat që nevojiten për më tutje. Zëdhënësi Uitman tha se nuk kishte informacionin e nevojshëm për të thënë se kur do të shkojë ekipi i ushtarakëve në zonën e luftës, brenda dhe përreth Osetisë Jugore. Zyrtarët e Pentagonit e kundërshtuan një deklaratë të presidentit gjeorgjian, që sipas njoftimeve, ka thënë se forcat amerikane do të marrin përsipër operimin e aeroporteve dhe të porteve të vendit.
SHBA-të paralajmërojnë pasoja për Rusinë
SHBA-të nuk kanë shumë pushtet të drejtpërdrejtë ndaj Moskës. Por a ka pushtet Rusia, a mund të detyrojë ajo Uashingtonin që të heqë dorë nga aleatja e tij, Gjeorgjia? Ishte në fakt pikërisht kjo ajo që sugjeroi ministri i Jashtëm Sergei Lavrov kur tha se SHBA-ve u duhet të zgjedhin mes udhëheqjes gjeorgjiane ose asaj që ai e quajti, projekt virtual dhe partneritet të vërtetë me Rusinë. SHBA dhe Rusia, sigurisht duhet të punojnë së bashku për çështje të tilla si Irani dhe Koreja e Veriut dhe programet bërthamore të këtyre dy vendeve. Por sekretarja e Shtetit, Rajs, shumë shpejt i vendosi gjërat në kontekst duke thënë se Rusia po i bënte nder vetes, dhe jo SHBA-ve. Moska, shtoi ajo, ishte po aq e interesuar në stabilitetin e Lindjes së Mesme sa edhe Uashingtoni. Kështu që kush ka nevojë për kë? Kjo është një pyetje që do të debatohet për disa kohë ndofta, për momentin pikëpamja nga Uashingtoni është se më shumë do t'i kushtojë Rusisë. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se Moska reagon po qe se merren masa konkrete për ta izoluar atë në skenën ndërkombëtare. Nuk është më 1968-a, thonë zyrtarët amerikanë, jo vetëm që Moska nuk shpëton dot më po qe se pushton një vend fqinj, por do të humbasë shumë, më shumë se sa ç'humbi Bashkimi Sovjetik 40 vjet më parë.
15 Gusht 2008