E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, tentohet zbutja e krizës politike



Në Maqedoni, presidenti dhe kryetari i Parlamentit do të përpiqen që të tejkalojnë dallimet mes këtyre dy institucioneve. Ishte kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, që me anë të një letre i bëri thirrje presidentit Branko Cërvenkovski për një takim të përbashkët. Qëllimi i takimit siç thuhet në letër është gjetja e zgjidhjes për krizën që ka përfshirë këto dy institucione për shkak të interpretimeve të ndryshme të kushtetutës. Presidenti refuzon të dekretojë pesë ligje, ndër të cilat ai për energjetikën, për lobim apo dhe për shpronësim. Sipas presidentit, rivotimi i këtyre ligjeve për herë të dytë nga ana e parlamentit u bë në mënyrë të rregullt. Ligjvënësi me të marrë vesh faktin se kreu i shtetit nuk do t'i dekretojë ligjet, pa marrë shpresë zyrtare, i vuri në rend ditë dhe i rimiratoi me urgjencë.
Me këtë veprim, maxhoranca donte të detyronte presidentin që t'i dekretojë ligjet. Por fakti që ato u rimiratuan pa marrë shpjegimin zyrtar nga presidenti i jep argument atij që rimiratimin ta quajë joligjor. Ai ka sugjeruar kthim në seancë plenare edhe një herë të këtyre ligjeve. Presidenti nga ligjet e diskutueshme, të cilat parlamenti i miratoi pa prezencën e opozitës dhe pa debat, ka dekretuar ligjin për përdorimin gjuhës shqipe. Ai tha se ky ligj u rimiratua sipas rregullave, ç'ka nënkupton, pasi parlamenti mori shkresën e tij zyrtare. Duke u bazuar në letrën e kryetarit të Parlamentit si dhe pranimit nga ana e presidentit që të zhvillohet takim i përbashkët pritet që të gjendet kompromis, edhe pse palët më herët kishin deklaruar se nuk do të heqin dorë nga qëndrimit e tyre. Mosdekretimi i ligjeve dhe rimiratimi i shpejtë i tyre nga parlamenti shtiu vendin në krizë politike, e cila tani tentohet të zbutet.

UNMIK-EULEX me marrëveshje mirëkuptimi

Brenda këtij muaji UNMIK-u dhe EULEX-i do të nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi, e cila ka për synim sqarimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. “Po punojmë për disa detaje, siç e dini EULEX-i ka njoftuar zbarkimin, përderisa ne po vazhdojmë rikonfigurimin. Sa i përket marrëveshjes së mirëkuptimit presim që të nënshkruhet brenda këtij muaji”, - thotë zëdhënësi i UNMIK-utm Rusell Geekie. Grupe punuese të OKB-së dhe të BE-së janë duke punuar tash sa kohë në Nju Jork dhe Bruksel për të arritur formulën se si të zbarkohet EULEX-i, ndërkohë që edhe pse misioni europian EULEX pritet të jetë nën ombrellën e OKB-së. Analistët politikë janë skeptikë se një formulë e tillë veprimi mund të gjendet shpejt në OKB dhe BE, meqë vetë këto organizma kanë ndasi sa i përket Kosovës. Ndërkohë, Andy McGuffie nga Zyra Civile Ndërkombëtare, është optimist se edhe pse me vonesë, EULEX-i dhe mekanizma të tjerë do të vendosen në Kosovë si e parasheh plani i Ahtisarit. “Është e qartë se ka ndryshime në praninë ndërkombëtare, ICO po rekruton staf shtesë dhe aktualisht kemi 146 njerëz, edhe ne po ndryshojmë meqë po shtojmë numrin. Dhe s’ka dyshim se edhe organizatat tjera ndërkombëtare do të lëvizin sipas planit, përfshirë këtu edhe EULEX-in”, - tha McGuffie. Ndërkohë, nga mbi 2000 pjesëtarë sa do t’i ketë misioni europian i sundimit të ligjit, deri tash në Kosovë kanë arritur jo më shumë se 350. Ky numër pritet të rritet në muajin shtator, kur në një masë të madhe do të ketë zvogëlim të personelit të UNMIK-ut. “Pjesë e rikonfigurimit është edhe zvogëlimi i stafit dhe ndryshimi i lokacionit. Kjo nuk ka të bëjë me transferimin e kompetencave, por me ristrukturimin e mënyrës se si punon misioni. Do të ketë zvogëlim të konsiderueshëm në disa fusha”, - thotë Geekie. Ndryshe, zyrtarë nga EULEX-i thonë se ky mision nuk mund të veprojë para se të zbarkohet plotësisht stafi prej mbi 2000 oficerësh që do të mbikëqyrin fushën e sundimit të ligjit. Muajt e ardhshëm shihen si muaj kur do ketë lëvizje serioze të operacionalizimit të misionit të BE-së, i cili do të mbikëqyrë Policinë, Drejtësinë dhe Doganat.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›