E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat shqiptaro-italiane pas luftës së vitit 1920 në Vlorë

“The New York Times” publikon tekstin e propozimeve italiane. Shqiptarët zhgënjehen nga miqësia me autoritetet e Romës

ROMË – Situata italiane në Vlorë mbetet e qetë, megjithëse kryengritësit vazhdojnë që të shtojnë trupat dhe të mbajnë një numër të konsiderueshëm përqark qytetit. Baron Aliotti, i dërguar nga qeveria italiane për të negociuar një marrëveshje mes dy palëve, ka shkuar në Durrës për të nisur bisedimet.
Pikat e Marrëveshjes
Ndërsa shtypi këtu (në Romë, - shën. red.) jep disa pika bazë të marrëveshjes, domethënë:
- Njohjen nga qeveria italiane të qeverisë shqiptare në Tiranë.
- Premton se Shqipëria do të administrojë krahinat e saj pa ndikimin e huaj.
- Zhvendosjen e trupave italiane nga e gjithë Shqipëria.
- Lejen për shtetin shqiptar që të vetarmatoset për të mbrojtur integritetin e tij kombëtar.
- Autorizimin që lejon Italinë të ndërtojë projektet për mbrojtjen detare dhe stacionin radiofonik në ishullin e Sazanit, përballë Vlorës, i cili do të mbahet nën zotërimin e trupave italiane.
- Rimbursimin ndaj Italisë të shpenzimeve të shkaktuara në Shqipëri për organizimin civil.
Komentet në Itali
“Idea Nazionale”, organi i shtypit nacionalist, e konsideron se “kjo mund të shkojë më larg, qëkur vetë Giolitti deklaroi se Italia nuk mund ta lërë Vlorën që të zaptohet nga ndonjë fuqi tjetër e huaj dhe premtoi se vetëm kur Shqipëria të jetë e “riorganizuar tërësisht dhe të jetë e bashkuar”, atëherë do të jetë e mundur të negociohet një marrëveshje përfundimtare me Shqipërinë në lidhje me Vlorën.
Përderisa Shqipëria nuk është në gjendje të mbrojë integritetin e saj territorial, “Idea Nazionale” kundërshton realizimin e menjëhershëm të një programi të tillë të gjerë, i cili nuk jep garanci që tërheqja e Italisë nuk do të jetë një mundësi që të avancojë në atë vend një fuqi tjetër e huaj. Gazeta e tjetër “Tribuna” publikoi një intervistë me një gazetar amerikan, i cili sapo ishte kthyer nga Vlora, pas një periudhe të gjatë qëndrimi me trupat shqiptare.
Zhgënjimi i shqiptarëve
Duke e pyetur për arsyet që sollën ndryshimin e qëndrimit nga miq në armiq të shqiptarëve që banojnë në zonat e thella të Vlorës, amerikani tha se shqiptarët besojnë për veten e tyre se ndihen të tradhtuar nga Italia. Ai tha se ndonëse Italia i siguroi shqiptarët se dëshiron të respektojë dhe mbrojë integritetin e Shqipërisë, Roma negocioi një marrëveshje midis Tittonit dhe Venizelos, e cila i jep grekëve Shqipërinë Jugore.
Agjentët grekë e shpërndanë këtë informacion në të gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar pakënaqësi të thellë dhe humbjen e besimit tek Italia, e konsideruar si protektore e pavarësisë së shqiptarëve. Zhgënjimi i shqiptarëve ishte konfirmuar edhe kur ata morën vesh përmbajtjen e kompromisit mes Londrës dhe Parisit këtë vit, kur në vend që të mbrohej autonomia e shqiptarëve, Italia u duk sikur pranoi në heshtje që Shqipëria të përdorej si një peng për kompensime dhe koncesione të ndërsjella midis Aleatëve, duke lejuar që Shkodra t’i ofrohej Jugosllavisë dhe Shqipëria e Jugut grekëve.
Kësaj i shtohej edhe hezitimi i Italisë për të njohur qeverinë e Tiranës dhe gërricjet e vogla midis ushtarakëve shqiptarë dhe italianë; të gjitha këto të gërshetuara shkaktuan fyerjen e shqiptarëve kundër Italisë, e cila arriti kulmin në sulmin e tanishëm.
Tani vetëm pavarësi
Shqiptarët kërkojnë në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në Vlorë, një administratë të pastër shqiptare, megjithëse pranojnë se Italia duhet të ketë një pikë mbrojtëse strategjike në bregdetin e Vlorës. Gazetari amerikan e përmbylli duke thënë se opinioni publik është i bashkuar në kërkesën për autonomi dhe pavarësi nga Italia dhe besojnë se si dikur, edhe sot ata do të jenë mjaft të fuqishëm të mbrojnë veten e tyre nga intrigat greke dhe jugosllave.

Shkrimi është botuar në “The New York Times” më 4 korrik 1920
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›