E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia me projektrezolutë në OKB kundër Kosovës



Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, do të dorëzojë të enjten në OKB një projektrezolutë për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Me këtë projektrezolutë, Serbia kërkon nga Asambleja e Përgjithshme të marrë një këshillë, siç thuhet, juridike nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Zyrtarët serbë thonë se kanë arritur që të ndalojnë procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është pranuar nga 45 vende, përfshirë edhe SHBA-të dhe pjesën më të madhe të anëtarëve të BE-së. Projektrezoluta e Serbisë do të mund të kishte peshë vetëm nëse deri në mesin e shtatorit mbledh votat e afro 100 vendeve anëtare të OKB-së. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës do të vazhdojë me intensitet në javët e ardhshme. Ai ka thënë se shumë vende kanë premtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës që, sipas tij, do t'i mundësojë këtij procesi të njohjes të vazhdojë për një periudhë. Presidenti Sejdiu ka kundërshtuar pohimet e zyrtarëve serbë se e kanë penguar në shumë pjesë të botës, procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Serbia ka paralajmëruar paraqitjen e rastit të Kosovës në Gjykatën për të Drejtën Ndërkombëtare, për të kërkuar një qëndrim mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kërkesa e Serbisë do të mund të bëhej në kuadër të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator, por vetëm nëse ajo arrin të mbledhë votat e afro 100 vendeve anëtare të organizatës botërore. Janë 45 shtete, në mesin e të cilave edhe SHBA-të dhe një numër vendesh të BE-së, që e kanë njohur deri tani Kosovën.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›