Ftesa e NATO-s, ministri Pollo: “Ndryshon programi i historisë për arsimin bazë dhe të mesëm”
Librat e historisë në arsimin bazë dhe të mesëm do të pësojnë ndryshime në program për shkak të marrjes së ftesë së NATO-s. Ky vendim, është bërë i ditur dje, nga ministri i arsimit Genc Pollo, i cili sqaroi se në librat e historisë, programet do të përshtaten, në mënyrë që nxënësit që mësojnë historinë bashkëkohore të vendit tonë, të njihen dhe me ftesën e Bukureshtit, që përbën një zhvillim të madh për Shqipërinë dhe rajonin. Gjithashtu, ftesa e NATO-s për vendin tonë do të pasohet me një sërë aktivitetesh në shollat dhe universitetet e vendit, në mënyrë që nxënësit të informohen më gjerësisht për këtë ngjarje historike. Pikërisht më rastin e marrjes së kësaj ftese, ministri i Arsimit, Genc Pollo, tha dje për mediat se për këtë arsye, Ministria e Arsimit do të organizojë, nxisë dhe koordinojë një sërë aktivitetesh për NATO-n. Në këto aktivitete do të pasqyrohet jo vetëm informimi për NATO-n, por edhe rrugën që ka ndjekur vendi ynë për tu anëtarësuar në të, si dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë. Pollo sqaroi se këto aktivitete do të organizohen në bashkëpunim me QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike) dhe me fakultetet e historisë dhe shkencave humane në të gjitha universitetet e vendit. Ndërsa në shkollat e mesme, do të mbahen konferenca, seminare dhe aktivitete të ndryshme kushtuar këtyre temave. Kreu i arsimit u shpreh: ”Kjo është një përgjegjësi e re, që lidhet me njohjen dhe përvetësimin më të thellë të fakteve, por edhe të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar Aleanca dhe mbi të cilat është ndërtuar edhe Shqipëria e periudhës së demokracisë”. Genc Pollo duke i paraqitur draftin e aktiviteteve ka mobilizuar shkollat dhe universitetet që të përgatiten për këtë zhvillim të ri në arsim. Jonida Tashi
5 Prill 2008