Ftesa në NATO. Të mos e injorojmë meritën e ushtarakëve
Kur ra gongu i Samitit të Bukureshtit, të përgatitur kaherë për një ftesë nga SHBA-të dhe miqtë tanë Perëndimorë në strukturën politiko-ushtarake të Aleancës, shqiptarët duartrokitën, festuan me të drejtën legjitime se tashmë kishin marrë “dhuratën” e radhës në harkun kohor të më pak se dy muajve. Për këtë merita më e madhe i takon Forcave të Armatosura, të cilat kaluan testin profesional dhe bindën Aleancën të thotë “po” për aderimin në strukturën ushtarake, gjë e cila i mungon Shqipërisë që nga viti 1968, kur doli de jure nga Traktati i Varshavës.
Ky eveniment historik duket se solli qetësinë që i mungonte vendit që prej 15 marsit, ditë kur pas tragjedisë së Gërdecit politika ishte përfshirë nga debate pasionante që e polarizuan atmosferën, që e thënë ndryshe pati tendencën e grumbullimit të kapitalit politik për të krijuar një trampolinë që mund të katapultonte opozitën te pushteti. Por pozita e bëri thjesht llogarinë dhe priste “shuarjen” e ortekëve politikë pas samitit, ku dukej se ftesa ishte e sigurt.
Bujtja, që u parapërgatit nga vizita e Presidentit të vendit më të fuqishëm të planetit në Tiranë qershorin e një viti më parë, nuk mungoi të vinte në momentin e duhur për të na gëzuar, por që njëkohësisht na obligon për të realizuar ato që aktualisht na mungojnë për të qenë të denjë për ta merituar plotësisht anëtarësimin.
Pas bekimit të Xhorxh W. Bushit, pra në të parën vizitë të një presidenti amerikan në tokën shqiptare, vendi ynë mori mbështetjen e plotë të Amerikës për rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, por edhe këtu nuk munguan porositë për vazhdimin e reformave, luftën antikorrupsion dhe bashkëpunim pozitë – opozitë, që duket se nuk kapërcehen lehtë nga forcat politike. Pas kësaj rrodhën ngjarje që sikur nuk i paraqisnin dinjitoze debatet politike. Zgjedhja e presidentit, diskutimet mbi çështjet e reformës zgjedhore, tragjedia e Gërdecit dhe të tjera si këto e zbehnin progresin që raportohej në Bruksel.
Pas ftesës për anëtarësim, ajo që u vu re ishte euforia e politikës për ta paraqitur këtë si sukses ekskluziv të saj, edhe pse e vetmja meritë e tyre ishte futadora minimale për të kthyer edhe atë në instrument të sajin, ashtu siç është vepruar me Administratën Shtetërore, Policinë e Shtetit dhe në sektorë të tjerë.
Vlerësimet e politikës për Forcat e Armatosura kanë qenë transitive, ashtu si edhe shoqëria jonë në tranzicion. Në vitet ’90, kur sapo përgatitej situata për ndryshimin e sistemit, politika e quante atë shërbëtore të regjimit të kaluar edhe pse në rregulloren bazë të saj shkruhej: “Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat”. Në vitin 1992, kur PD-ja mori pushtetin, u shfaq nevoja e depolitizimit të strukturave të mbrojtjes, por njëkohësisht reformimi i saj, edhe pse e majta e priti me rezerva këtë hap. Viti 1997 do të ishte më i vështiri për uniformat e gjelbra shqiptare që vuajtën shkatërrimin total të dhjetëra depove të armatimit dhe municioneve luftarake, por gjithçka u rivendos në kohë dhe askush nuk do të guxonte të depërtonte rrethimet e bazave ushtarake.
Vit pas viti ushtria konfiguroi fytyrën e saj profesionale, gjë që i dha mundësinë e një pjesëmarrjeje të saj në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, Afganistan dhe Irak. Ushtarakët tanë e prezantuan veten të denjë krah kolegëve të tyre të forcave aleate dhe gjithnjë kjo ishte një nga arsyet që në adresë të saj vinin shpesh vlerësime nga drejtues të Aleancës.
Forcat e Armatosura operojnë mbi ligje të standardizuara me NATO-n dhe fatmirësisht politikanët, edhe pse me vështirësi, kuptuan nocionin bazë dhe rolin e Forcave të Armatosura në një sistem demokratik. Ata mësuan të qëndrojnë larg një strukture që më shumë se çdo tjetër na afron me Europën. Kuptuan se nuk mund dhe nuk duhet ta ushqejnë ushtrinë me frymën e militantizmit partiak.
Nëse sot e kemi në xhep ftesën, përpos mbështetjes së madhe të SHBA-ve, vendeve anëtare të NATO-s, duhet të mos ngurrojmë t’u themi një faleminderit po kaq të madhe edhe uniformave të gjelbra, oficerëve e ushtarëve që me profesionalizmin e tyre i dhanë shansin këtij vendi të hedhë një hap të rëndësishëm drejt Europës së Bashkuar, një aspiratë e jona e gjithhershme.
5 Prill 2008