E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, Metoda e informatizimit, shmang abuzimet me kostot e diagnozave



Emanuela Sako

Informatizimi për çdo diagnozë shmang dukshëm abuzimet që mund të bëhen në spitale për shpenzime të shumta në barna, materiale etj, që kanë spitalet. Ndërsa lehtëson punën e mjekëve dhe ndihmon pacientët, në përcaktimin e sëmundshmërisë. Llogaritja e kostos në mënyrë të informatizuar, sipas sistemit për çdo diagnozë (DRG), është kryer me sukses në Spitalin Rajonal të Durrësit. Kjo metodë tregon matjen e vazhdueshme të shpenzimeve reale për çdo sëmundje, për të gjithë personat e hospitalizuar. Një metodë e tillë është aplikuar për herë të parë në Spitalin e Durrësit nga ISKSH-ja. Kostoja për diagnozë sipas sistemit DRG, siguron informacion të plotë për hartën e sëmundshmërisë sipas demografisë së popullsisë, grupmoshave, gjendjes sociale, koston reale të trajtimit të kësaj sëmundshmërie, planifikimin e rimbursimit të barnave etj. Gjithçka mbetet nën kontroll të plotë të spitalit dhe mjekimet shkojnë pacientët. Kështu, ISKSH-ja në sajë të shtrirjes së skemës së sigurimeve theksoi se gjatë vitit 2007 në këtë spital nga puna e mirë e kryer nga Sektori i Projekteve Pilot dhe njësisë së kalkulimit të kostos, është zbatuar me eficencë llogaritja e kostos në mënyrë të informatizuar sipas sistemit për diagnozë (DRG). Kostoja në këtë spital për vetë natyrën e shërbimeve, llogaritet në formën e kostos mbi bazë aktiviteti dhe diagnoze (sipas DRG). Sipas ISKSH-së kostoja mbi bazë aktiviteti llogaritet për shërbimet e poliklinikës, urgjencës, laboratorit, puntit të gjakut dhe shërbimet e tjera ndihmëse. Mbi bazën e evidencave të shpenzimeve të realizuara, llogaritet kostoja për indikatorët përkatës, si raporti i shpenzimeve faktike të çdo shërbimi (direkekte +indirekte) me numrin e ditëve të qëndrimit, pacientëve të trajtuar, vizitave, shtretërve, analizave; jepen kostot përkatëse.
Llogaritja
Në spitalin Durrësit kostoja sipas kësaj mënyre, llogaritet për Shërbimin e Patologjisë, Kirurgjisë, Pediatrisë, Obstetrisë dhe Gjinekologjisë. Mbi bazën e të dhënave të përfituara në mënyrë të informatizuar, sipas programit kompjuterik të kostos, llogariten të gjitha grupet e shpenzimeve. Raporti i shpenzimeve faktike të çdo shërbimi (direkte +indirekte ) me numrin e ditëve të qëndrimit të çdo diagnoze, rasteve për çdo DRG, numrin e rasteve për çdo grup DRG, numri i DRG për çdo shërbim, jep koston reale të qëndrimit ditor të një pacienti. Në këtë mënyrë për çdo muaj, pas përpunimit dhe interpretimit të të dhënave nga zyra e kostos, nxirren të gjitha shpenzimet reale.
Objektivat
Objektivat e mëtejshme të ISKSH-së përmes zbatimit të shtrirjes së skemës në spitale, synojnë në llogaritjen e plotë të kostos për diagnozë, në të gjitha shërbimet e spitalit. Po kështu në krijimin e një data base për pacientët e trajtuar në këtë spital, informatizimi i plotë i spitalit, mënyrën e re të financimit të spitalit (sipas kostos për diagnozë, pavijoneve dhe shërbimeve të veçanta), futja e elementeve të partneritetit publik dhe privat në shërbimet mbështetëse për rritjen e cilësisë, vendosjen e normativave të reja në ngarkesën e personelit dhe normativat e përdorimit të materialeve e të tjera, futjen e elementit të bashkëpagesës në spital si faktor për rritjen e të ardhurave dhe cilësisë së shërbimit, etj). Shtrirja e skemës së sigurimeve në spitalet rajonale, është një nga objektivat më të rëndësishme të ISKSH-së. Me vlerësimin e plotë të spitalit të Durrësit, ISKSH do të synojë shtrirjen e skemës në spitalet rajonale, për të përfunduar më pas përfshirjen e të gjitha shërbimeve shëndetësore brenda vitit 2009, me futjen e të gjitha spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore.

QSUT, shpërndahen materiale për shtretërit në disa pavijone
Drejtoria e QSUT-së ka marrë angazhim për përmirësimin e kushteve në dhomat e pacientëve. Pas përmirësimit të cilësisë dhe shpërndarjes së ushqimit në shërbimet spitalore ka filluar shpërndarja e pajisjeve të reja për shtretërit e pacientëve.
Deri tani ka përfunduar pajisja e shtretërve me materialet e reja tek spitali i sëmundjeve të brendshme (6-katëshi), spitali francez, Psikiatria, Kirurgjia e përgjithshme dhe po vijon shpërndarja tek pavijoni i Djegie-Plastikës, Infektivi dhe Onkologjiku. Me shpërndarjen e pajisjeve të reja të shtretërve familjarët e pacientëve të shtruar nuk kanë nevojë t’i marrin ato nga shtëpitë e tyre. Familjarët kanë qenë të detyruar që shpeshherë të merrnin materiale nga shtëpitë e tyre, si batanije, çarçafë, jastëkë etj. Ndërsa tani gjithçka do të mbulohet nga spitali me pajisje të reja. Edhe lavanteria e spitalit, pas privatizimit të saj siguron një pastrim dhe higjienë maksimale për dezinfektimin e materialeve të shtretërve për pacientët. Megjithëse, përmirësimi i kushteve në spitale është kryer, familjarët e pacientëve marrin ende materiale nga shtëpitë e tyre për në spitale. Ashtu siç ndodh edhe me ushqimet, edhe pse drejtoria vendosi një rregullore, sipas së cilës nuk do të futej asnjë ushqim brenda në pavijonet e spitaleve nga familjarët. Ndërsa, pacientët do të ushqehen me ushqime dietike të përcaktuara nga mjekët specialistë sipas sëmundjes që ka secili.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›