E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja dhe LSI-ja akuzojnë partitë e mëdha për marrëveshje zgjedhore në dëm “të të vegjëlve”

Prifti dhe Ndoka: PS-PD, marrëveshje për të na lënë jashtë komisioneve zgjedhore. “Pakti, PS-ja miraton ligjin për Prokurorinë, PD-ja pranon përjashtimin e të vegjëlve nga komisionet”

Eljona Ballhysa
Partia Demokristiane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë akuzuar dy partitë e mëdha për bashkëpunim në dëm të të vegjëlve për reformën zgjedhore. Sipas deputetit të LSI-së, Dritan Prifti, PD-ja dhe PS-ja kanë nënshkruar një pakt, sipas të cilit Partia Socialiste do të japë konsensus për miratimin e ligjit për Prokurorinë, ndërsa PD-ja do të miratojë mospërfshirjen e partive të vogla në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe në komisionet e tjera zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend dhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ai ka bërë të ditur se Kodi i ri Zgjedhor, i cili është hartuar në mungesën e plotë të transparencës, shkel standardet elementare të demokracisë.
LSI
“Ne kemi marrë së fundi një informacion, që Partia Socialiste e ka vënë si kusht kryesor për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore heqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra ata nuk japin konsensus për reformën nëse LSI-ja do të ketë anëtarë nëpër komisione zgjedhore”, - është shprehur deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. Më tej ai zbardh dhe paktin që është bërë, sipas tij, nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për reformën zgjedhore.
“Kërkesa e Partisë Socialiste ndaj PD-së është: Hiqni komisionerët e LSI-së, ne do t’ju japim ligjin për Prokurorinë! Pra, është një pazar i pastër, atje ku e ka dobësinë PD-ja, te Prokuroria, sepse është e zhytur në korrupsion dhe tashmë ka fakte para të gjithë shqiptarëve, PS-ja kërkon t’u japë atyre amnisti për korrupsionin dhe për problemet që ata kanë me drejtësinë, duke goditur ata që duhet t’i ketë aleatë në zgjedhjet e ardhshme”, - është shprehur Prifti. Më tej ai u bën thirrje të dy partive politike që të heqin dorë nga të tilla marrëveshje, pasi do të prodhojnë një proces të dështuar zgjedhor dhe, si pasojë, do të rrisin koston e vendit në proceset integruese. “Ne u bëjmë thirrje të dyja forcave politike të mos e shtojnë koston që ka Shqipëria për procesin e integrimit, ta sjellin sa më shpejt në Kuvend reformën zgjedhore, të jetë ajo reformë gjithëpërfshirëse, të jetë reformë konsensuale dhe të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, - është shprehur Prifti.
Demokristianët
Edhe kryetari i PDK-së e demaskoi një marrëveshje të tillë midis dy partive të mëdha politike. Ndoka tha se dy partitë po hartojnë një kod zgjedhor që çon drejt deformimit të plotë të procesit të zgjedhjeve dhe nuk garanton as standardet minimale demokratike. “Ne kemi fakte dhe prova të pakundërshtueshme se këto dy parti, në marrëveshje të fshehtë me njëra-tjetrën, po përpiqen të hartojnë një kod zgjedhor që ka si pikësynim të godasë dhe të eliminojë rivalët politikë të Ramës dhe të Berishës, në të majtë dhe në të djathtë. Është e turpshme dhe e papranueshme që në këtë Kuvend të votohet një ligj zgjedhor që ka vetëm një pikësynim: vjedhjen e mandateve të PDK-së dhe të LSI-së, penalizimin e tyre politik, vetëm pse këto dy parti nuk janë shndërruar në parti vasale, apo në parti satelite të dy partive të vjetra”, - është shprehur kreu i PDK-së. Sipas Ndokës, dy partitë e mëdha kanë planifikuar të përjashtojnë nga komisionet zgjedhore dhe nga komisionet e numërimit të votave përfaqësuesit e PDK-së dhe të LSI-së.
Ndoka bëri të ditur se PDK-ja nuk do të bëjë aleancë me asnjë parti politike që nuk respekton të drejtën e votës. “PDK-ja nuk do të bëjë aleancë me asnjë forcë politike që nuk respekton votën e lirë të qytetarëve, që nuk respekton vullnetin politik të zgjedhësve, ose që kërkon të marrë dhe të mbajë pushtet me instrumente ligjore të deformuara, që dëmtojnë rëndë standardet e demokracisë së vendit, siç po përpiqen të bëjnë PD-ja dhe PS-ja”, - është shprehur kreu i PDK-së.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›