E Diel, 1 Nëntor 2026

Butilione: “Shqipëria, e para në axhendën ekonomike të qeverisë së re italiane”



Parlamentari dhe politikani italian, Roço Butilione, në një intervistë dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”, ka deklaruar qëllimet dhe projektet e mëdha ekonomike që Italia ka në Shqipëri. Sipas tij, një mori projektesh për investime janë planifikuar nga Italia dhe qeveria e saj e re, që do të vijë pas zgjedhjeve të 13 prillit 2008. Duke e konsideruar Shqipërinë si “aleaten” më të madhe dhe partnerin kryesor strategjik të Italisë në rajon, z. Butilione ka shpjeguar se si do të nisë bashkëpunimi i ri ekonomik mes dy vendeve tona.

Cilat do të jenë projektet ekonomike që qeveria juaj, në rast të marrjes së pushtetit, do të zhvillojë me një vend si Shqipëria? Duke ditur që tashmë e konsideroni si një prej aleatëve tuaj kryesorë.

Ka një histori të tërë që flet për ne. Ju duhet të kujtoni që unë kam qenë afër Shqipërisë, sidomos në periudhat e vështira që ka kaluar vendi juaj. Duke nisur që pas rënies së komunizmit e deri në vitet e para që Shqipëria nisi eksperiencën e saj demokratike. Por ne gjithmonë kemi qenë afër popullit shqiptar edhe në vitet e mëpasme, duke pasur gjithmonë shpresën për një progres të vendit tuaj si dhe për një zhvillim ekonomik. Kjo gjë do të vijojë pa dyshim edhe në të ardhmen. Ne kemi mjaft për të bërë së bashku, sidomos në fushën e energjetikës, në të turizmit, të ndërmarrjeve prodhuese, industrisë etj. Italia dhe Shqipëria janë bërë për njëra-tjetrën dhe për të mbrojtur njëra-tjetrën. Ne e kemi mbrojtur gjithmonë këtë gjë, madje edhe në periudhat më të vështira për vendin tuaj. Mund t’iu them diçka. Në periudhat më të këqija, kur në Itali shqiptarët nuk ishin shumë të pëlqyer, unë nisa t’i ndihmoj duke e lidhur këtë me faktin se familja ime ka pasur prejardhjen nga ajo e Kastriotëve, pra të Skënderbeut. Pra në gjakun tonë tashmë ka edhe gjak nga ai i shqiptarëve që kanë luftuar për lirinë e vendit të tyre, por dhe për Italinë.

Sa të bindur jeni që këto projekte do të realizohen, duke ditur që Shqipëria shpreson mjaft në një ndihmë të tillë ekonomike të Italisë?

Ne jemi të bindur. Pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re, lidhja e këtij bashkëpunimi, paksa të dobësuar nga qeveria e kaluar, të mund të forcohet sërish nga bashkëpunimi i ri, si dhe të ripeshohet. Kjo gjë do të bëjë që gjërat të rregullohen përsëri nga e para.

ǒmund të na thoni në lidhje me situatën politike aktuale në Itali?

Italia është një vend që ka nevojë për një “fshikullim” dhe një dozë të re energjie në të gjitha aspektet. Ajo ka nevojë mbi të gjitha për një revolucion kulturor. Ne mendoj se duhet të bëjmë atë që bëri Polonia me “Solidarnos”-in. Pra të vihet në veprim energjia e re dhe morali i popullit të krishterë për të ringritur në këmbë vendin, duke dhënë forcë, fjalë dhe autoritet. Kjo është dhe detyra e atyre që drejtojnë vendin, ku mbi të gjitha kanë për detyrë që të sigurojnë punë dhe të mira për popullin, dinjitetin për çdo person si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe jetës së çdo njërit.

///////////
Kush është Roço Butilione
Parlamentari italian Roço Butilione është aktualisht president i Partisë UDC (Unioni i Qendrës) dhe ka mbajtur postin e ish-ministrit për Politikat e Komuniteteve dhe Pakicave në ish-qeverinë e kryeministrit Silvio Berluskoni. Ai është i zgjedhur në rajonin e Lombardisë si deputet në Parlamentin Italian. Z. Butilione ka lindur më 6 qershor 1948 në Gallipoli të Leçes dhe aktualisht banon në Romë (kryeqytet). Ai mban edhe titullin e “Docentit Universitar”, si dhe është aktualisht anëtar në 14 komisione permanente politike të Bashkimit Europian.

Konfindustria e Aleksandrisë, interesa strategjikë ekonomikë në Shqipëri

Përfaqësuesit më të lartë të biznesit dhe Konfindustrisë Italiane në qytetin e Aleksandrisë kanë shprehur interes të madh për të investuar në Shqipëri. Një grup i konsiderueshëm pronarësh dhe sipërmarrësish biznesesh të mëdha të sektorëve të ndryshëm, kanë nisur të interesohen për gjetjen e partnerëve serioz në “Vendin e Shqiponjave”. Gjatë një takimi të zhvilluar në datën 29 mars 2008 mes Konsullit të Shqipërisë në Piemonte, Giovanni Firefra dhe përfaqësuesve të Konfindustrisë Piemontese në Aleksandri, të kryesuar nga Dr. Fabrizio Riva, u fol qartë për një mundësi të afërt investimesh në drejtim të Shqipërisë. Nëpërmjet konsullit të Nderit të Shqipërisë në Piemonte, Firera, investitorët italianë kanë mundur që të krijojnë një përshtypje të parë të mundësive ekonomike që ofron Shqipëria për ta. Italia është sot dhe një prej financuesve kryesorë të projekteve për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (SME) në Shqipëri, për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve të ngurta, për disa projekte në fushën e zhvillimit të sektorit të shëndetësisë, të arsimit etj.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›