E Diel, 1 Nëntor 2026

Piemonti, aty ku emigrantët shqiptarë ndjehen si në shtëpinë e tyre

Aleksandria, qyteti ku jetojnë mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë. Autoritetet pranojnë faktin se ky komunitet është më i madhi

Ervin Koçi

Të jesh larg vendit tënd, në një shtet të huaj e për më tepër si një emigrant, është vërtet diçka shumë e vështirë. Por kjo gjë nuk mund të thuhet kurrsesi për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë sot në rajonin e Piemontit në Italinë e Veriut. Pasi kanë kaluar vite e vite të tëra dhe jo pak të vështira, komunitetet e emigrantëve shqiptarë aty jo vetëm janë përshtatur, por janë tashmë pjesë e realitet dhe jetës në këtë zonë të zhvilluar të Italisë. Kjo gjë falë punës së madhe që shumë prej shqiptarëve kanë bërë nëpër provincat dhe qytet e Piemontit, ku jo vetëm që kanë përhapur opinionin e mirë për vendin e origjinës, por kanë nisur që jenë pjesë e të gjitha aktiviteteve politike dhe sociale në këtë rajon. Ndryshe nga fillimi i viteve ’90, kur shumë prej tyre e shkelën këtë tokë për herë të parë për të gjetur një mundësi më të mirë për të siguruar me djersë bukën e gojës, tani gjërat kanë ndryshuar për mijëra shqiptarë aty. Shumë prej tyre janë bërë sipërmarrës dhe investitor të mirëfilltë dhe administrojnë prej kohësh aktivitet e tyre të biznesit. Një shembull i gjallë i këtij realiteti janë komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Aleksandrisë, në rajonin e Piemontit, ku puna dhe integrimi në jetën e përditshme njësoj si italianët, i ka bërë ata pjesën më të rëndësishme dhe komunitetin më kryesor të të huajve në këtë qytet. Këtë gjë ata ia dedikojnë punës së madhe të tyre, por edhe ndihmës së madhe që ka bërë dhe vazhdon të bëjë për ta edhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Itali, Giovanni Firera. Ky i fundit është në çdo moment pranë tyre duke ndihmuar sidomos gjatë viteve të fundit edhe në forcimin e raporteve dhe bashkëpunimit midis komunitetit të shqiptarëve dhe autoriteteve të Aleksandrisë dhe atyre piemontese.

Autoritetet

Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të hierarkisë shtetërore në Aleksandri të Piemontit, por edhe ata në Torino, janë në një mendje kur bëhet fjalë për komunitet e emigrantëve shqiptarë. Për ta këto komunitete nuk janë më vetëm një forcë e thjeshtë pune, por pjesë e rëndësishme e një realiteti kulturor dhe bashkëjetese mes vendasve dhe të ardhurve. Këtë gjë e dëgjojmë nga goja e dy prej autoriteteve më të larta të qytetit të Aleksandrisë, nga prefekti, Dr. Francesco Castaldo dhe nga kuestori i qytetit, Mario Masini, të cilët në datën 29 mars 2008 pritën dhe takuan një përfaqësi të madhe emigrantësh shqiptarë pjesë e komunitetit të qytetit të tyre, të kryesuar nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Piemonte, Giovanni Firera. Në takimet e zhvilluara me radhë me autoritet më të larta të këtij qyteti, u shpreh qartë se tashmë ky komunitet i madh, i cili i kalonte të 6 mijë vetat vetëm në këtë qytet, është një pjesë e rëndësishme e Aleksandrisë. Këtë gjë në mënyrë të veçantë e ka shprehur kuestori Masini, i cili ka thënë për gazetën “Albania” se “tanimë emigrantët shqiptarë nuk janë më një problem për autoritet e italiane të këtij qyteti, kjo për faktin se ata janë integruar mirë dhe janë pjesë e jetës të njëjtë me italianët. Këtë e tregon dhe numri i përjashtimeve, ndalimeve, arrestimeve apo dhe i masave të tjera që për shqiptarët në këtë qytet është zero”. Ky fakt pranohet edhe nga prefekti i Aleksandrisë, Dr. Castaldo, që në takimin me komunitetin shqiptar aty, pranoi faktin që “në disa aktivitete dhe punë emigrantët shqiptarë janë bërë edhe më të zotët se vetë italianët”.

Integrimi

Edhe pse fillimi nuk ka qenë mjaftë i lehtë, tani emigrantët shqiptarë në Piemont janë bërë pjesë e jetës së përditshme që njësoj si ata bëjnë edhe qytetarët e tjerë italianë. Këtë e tregon organizimi mjaft i mirë që këto komunitete shqiptarësh të shpërndarë në të gjithë rajonin dhe qytetet e Piemontit, përfshi edhe Torinon, kanë nisur të bëjnë. Disa shoqata shqiptarësh, disa klube kulturore dhe të tjera aktivitete në bashkësi janë një pjesë e atij organizimi që shqiptarët kanë nisur të bëjnë aty. Përveç punës, pjesë e aktivitetit të emigrantëve shqiptarë është dhe arsimi, i cili i përket më tepër pjesës së re të këtij komuniteti, ku jo vetëm studentët e ardhur nga Shqipëria, por edhe fëmijët që kanë lindur aty nga çiftet shqiptare, janë tashmë pjesë e arsimit dhe shkollimit vendas. Po kështu as aktivitet kulturore nuk kanë munguar, ku në mjaftë panaire dhe festa bashkë me aktivitet kulturore vendase, bëjnë pjesë dhe ato shqiptare.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›