E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa për në NATO, sot ditë vendimtare për Shqipërinë

Sekretari i Përgjithshëm, Shefer: “Vendet kandidate të hyjnë në NATO”. Samiti i NATO-s, Bush: “Ftesa për anëtarësim vendeve të A3-shit”

Shqipëria dhe Kroacia pritet të marrin sot ftesën për anëtarësim në NATO. Që prej ditës së djeshme ka nisur Samiti treditor i Aleancës së Atlantikut Verior në Bukuresht të Rumanisë. Temat kryesore të këtij takimi do të jenë zgjerimi i Aleancës me anëtarë të rinj, përfshirja e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Planin e veprimit për anëtarësim si dhe çështja e Afganistanit. Ftesa për Shqipërinë dhe Kroacinë është konsideruar thjesht një formalitet ndwrsa pwr Maqedoninw pikkwpyetjet ishin tw shumta. Delegacioni shqiptar, i përfaqësuar nga autoritetet më të larta të vendit: presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha, mbërritën dje në mëngjes së bashku me ministrin e Jashtëm, ministrin e Mbrojtjes si dhe përfaqësues të Parlamentit. Mesazhe pozitive për marrjen e ftesës nga tre vendet e A3-shit kanë ardhur gjatë ditës së djeshme nga përfaqësuesit më të lartë të NATO-s dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush.
Shefer
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, deklaroi në Bukuresht se vendet e Kartës së Adriatikut duhet të hyjnë në NATO. “Vlerësoj se të tria vendet e Kartës së Adriatikut duhet të hyjnë në NATO, mundohem që kjo të ndodhë”, - i është përgjigjur Shefer pyetjes së deputetit maqedonas dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, Vllatko Gjorçev, në Forumin Transatlantik në Bukuresht. Sinjale pozitive për marrjen e ftesës nga Shqipëria dhe Kroacia kanë ardhur edhe nga zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Xhejms Apathurai. Sipas tij, këto dy vende janë treguar korrekte me realizimin planit të veprimit të nevojshëm për marrjen e ftesës. Në një konferencë për shtyp, Apathurai është shprehur se vendimi për zgjerimin e NATO-s me vende të reja, do të jetë unanim edhe pse nuk ka përcaktuar qartë numrin e vendeve që do të ftohen.
Bush
Edhe presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, ka mbështetur anëtarësimin e vendeve të A3-shit në NATO. Bushi e ka konsideruar vendimin e sotëm si historik duke ftuar për anëtarësim 3 vendet ballkanike. Bushi deklaroi nga Bukureshti se këto tre vende kanë ecur në rrugën e vështirë të reformave dhe kanë ndërtuar shoqëri të lira dhe demokratike. “Këto tre vende do të japin kontributin e tyre në NATO dhe qytetarët e tyre e meritojnë sigurinë që ofron NATO-ja. Ndërsa mirëpresim aleatët e rinj, gjithashtu ritheksojmë se dyert e NATO-s janë të hapura edhe për vende të tjera të Ballkanit, si Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, që të intensifikojnë dialogun me NATO-n”. Debati për zgjerimin e NATO-s filloi dje me një darkë pune të shefave të shteteve të qeverive anëtare të Aleancës. Vendimi përfundimtar për marrjen e ftesave do të merret sot në mesditë, pas mbledhjes së Këshillit Veri-atlantik.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›