Greqia djeg Maqedoninë, Shkupi jashtë NATO-s
Shpresa e Shkupit për t’u ftuar në NATO u shua përfundimisht. Gjatë pasdites së djeshme zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë konfirmoi vendimin e Athinës për të vendosur veto pas mungesës së një zgjidhjeje për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Pas kërcënimeve të autoriteteve greke ndaj Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, kryeministri Kostas Karamanlis i dërgoi më parë një letër liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilën u shpreh qëndrimi i Greqisë për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Karamanlis u kërkoi vendeve anëtare të NATO-s që Maqedonia të mos merrte ftesën për anëtarësim deri në zgjidhjen e problemit të emrit. Megjithatë, edhe pse në një situatë ende të paqartë, autoritetet e Shkupit shkuan në Bukuresht me optimizëm. Kryeministri Nikolla Gruevski, para nisjes për në Rumani deklaroi se pavarësisht faktit se ende nuk ishte marrë një sinjal pozitiv nga fqinji jugor, kishte shpresa se drejtësia do të triumfonte në mënyrë që Maqedonia të merrte ftesën. Gjatë ditës së djeshme në Shkup u organizua një protestë kundër anëtarësimit në NATO, me moton “Kundër NATO! Kundër Maqedonisë në NATO”. Protesta u organizua nga një nismë qytetare e mbështetur edhe nga disa subjekte politike dhe joqeveritare, të cilat u shprehën kundër anëtarësimit në NATO për shkak të çështjes së ndryshimit të emrit kushtetues të vendit. SHBA-të, megjithatë, insistuan që Maqedonia të merrte ftesë së bashku me dy shtetet e tjera. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, gjatë një fjalimi për mundësinë e vendosjes së vetos greke për Maqedoninë, u shpreh se kjo nuk ishte çështje e NATO-s dhe nuk mund të akuzohej aleanca. Megjithatë, ai paralajmëroi se krerët e NATO-s do të bisedonin për këtë “çështje të rëndësishme”. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de hop Shefer, u shpreh se çështja e emrit ndërmjet këtyre dy vendeve nuk mund te zgjidhej me konfrontim dhe është shprehur optimist se do të gjendej një zgjidhje për çështjen e emrit. Ndërkohë autoritetet greke nëpërmjet një deklarate zyrtare kanë mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Shqipëria është pjesë e familjes sonë dhe ne do ta mbështesim anëtarësimin e saj”,-ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.
3 Prill 2008