NATO, Basha: “Jemi të sigurt për marrjen e ftesës”
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka deklaruar dje në Bukuresht se Shqipëria është e sigurt për marrjen e ftesës për në NATO. Në një deklaratë për mediat, ministri i Jashtëm i Shqipërisë është shprehur se data 3 prill do të shënohet si një ditë historike për vendin. “Nuk ka qenë e lehtë për të arritur këtu, megjithatë kemi arritur të gjejmë konsensusin mes palëve për anëtarësimin në NATO”,-është shprehur Basha. Ministri Basha është shprehur se “jemi të sigurt për marrjen e ftesës”. Megjithatë, sipas ministrit, ftesa për anëtarësim në NATO është një mesazh i qartë edhe për rajonin, veçanërisht për Kosovën. “Ndodhemi në një moment shumë të favorshëm për Shqipërinë”, - është shprehur mes të tjerash ministri i Jashtëm, Basha. Kryediplomati shqiptar e ka cilësuar ftesën për anëtarësim si ngjarjen më të rëndësishme që nga fillimi i demokracisë dhe pluralizmit, kurse nga pikëpamja e sigurisë kombëtare si ngjarjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. Për Bashën ftesa për anëtarësim është një mesazh i qartë edhe për Serbinë, ku sigurisht Shqipëria, krah për krah vendeve të tjera fqinje, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë, janë drejt një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e këtyre vendeve dhe një ardhme, e cila pa dyshim do t’i shohë këto vende anëtarë të BE –së dhe të komunitetit euroatlantik.
Planet e Samitit jubilar të NATO-s në vitin 2009
Gjermania dhe Franca do të jenë organizatoret e Samitit të ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet me rastin e 60-vjetorit të Aleancës ushtarake. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrich Vilhelm, bëri të ditur se takimi do të zhvillohet në rajonin kufitar mes Strasburgut dhe Këhlit. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, duan të theksojnë kështu rëndësinë e NATO-s për paqen në Europë. Nga qarqet qeveritare në Berlin është bërë e ditur se asnjë prej vendeve anëtare të NATO-s nuk ka shprehur pakënaqësi për vendin ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm.
3 Prill 2008