Naftëtari ndalohet nga Tërbuni në shtëpi, kontestohen gjyqtarët
Skuadra e Naftëtarit barazoi pa gola ndaj Tërbunit, duke luajtur për për 75 minuta me 10 lojtarë.
Nga: Arben Çepani
Naftëtari-Tërbuni 0-0
Naftëtari: Kora, S.Gega, Daci, Gucaj, Kajo, Hoxha, Kopaçi (A.Çela 74′), Koroveshi (Mitre 87′), A.Gega, S.Çela, Lila( Zylyftari 55′).Trajner S.Vasili.
Tërbuni: Guga, Sulollari (Çeka 40′) Mone, Vargu, Baze, Karaj, Greca (Metani 63′), Rroca, Kulli, (Pepa 68′), Agastra.Trajner E.Dalipi
Gjyqtarë: K.Cjapi, O.Grabova (Fier), E.Malo( Lushnje)
Kartona të verdhë: S.Çela 73′,Daci 88′/Agastra 44′,Sulollari 90+3
Karton i kuq: Kajo 25′
Skuadra e Naftëtarit nuk arriti më shumë se barazimi në ndeshjen e dytë të kampionatit ndaj Tërbunit. Naftëtari u rikthye në stadiumin Bashkim Sulejmani për ndeshjet e Kategorisë së Parë pas një mungese tre vjeçare,ku interesimi i tifozëve ishte i dukshëm. Në këtë ndeshje gjyqtarët dhanë disa vendime që u kontestuan nga Naftëtari, të paktën në tre raste. Edhe pse me një futbollist më pak, për rreth 75 minuta, vendasit nuk e ndjenë aspak inferioritetin numerik, duke krijuar raste të bukura për shënim. Në minutën e 12-të, Kopaçi godet me kokë por topi përfundon sipër traut të portës mike. Në minutën e 25-të do të vinte dhe kartoni i kuq i Kajos, një vendim që i la të pakënaqur vendasit. Kajo ka frenuar një sulmues mik jashtë zonës së rreptësisë, ku kryesori, Cjapi nxjerr kartonin e kuq, duke e konsideruar mbrojtësin kuçovar si futbollistin e fundit. U duk se me një futbollist më shumë, Tërbuni do ta kishte më të lehtë, por janë kuçovarët që luajnë më mirë. Në minutën e 330-të vjen momenti më i diskutueshëm, ku gjuajtjen e Kopaçit e ndaloi përtej vijës fatale portieri Guga. Kuçovarët protestojnë për një gol të rregullt, por nuk janë të këtij mendimi gjyqtarët. Një gol i mohuar për kuçovaret, që shkaktoi shumë kontestime në shkallët e stadiumit. Fundi i pjesës së parë është më i qetë, ku miqtë krijojnë dy raste me anë të Grecës dhe Rricës në minutat 41 e 43. Pjesa e dytë fillon me ritëm të lartë dhe me përpjekje të dyanshme. Aktivizimi i Zylyftarit në vend të Lilës i jep më shumë gjallëri sulmit të Naftëtarit. Rastet janë shumta, por gabohet me lehtësi para portës. Një barazim që la të pakënaqur kuçovaret, të cilët në përfundim të ndeshjes shprehën rezervat e tyre për gjyqtarët. I pakënaqur ishte dhe tekniku mik Edmond Dalipi ,i cili pretendonte më shumë nga futbollistët e tij.
Sofokli Vasili, trajneri i Naftëtarit: Meritonim fitoren, ku edhe me një futbollist më pak ne luajtëm mirë. Mendoj se shkak për barazimin ishte dhe gjykimi, ku në tre raste ai penalizoi me pa të drejtë Naftëtarin. Mendoj se gjykime të tilla prishin atmosferën. Ishte një ndeshje fair-play, ku dua të falenderoj sportdashësit për mbështetjen dhe korrektesën që treguan në shkallët e stadiumit.
Edmond Dalipi, trajneri i Tërbunit: Jam i pakënaqur nga loja dhe rezultati. Ne kishim ardhur me synime të qarta për tre pikë, ku barazimin e sotëm do ta konsideroj humbje.
