Button, mbret në Hungari

Jenson Button festoi garën e tij të 200-të në Formula 1 me fitore në Shpërblimin e Madh të Hungarisë, ku kampioni aktual, ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel shtoi epërsinë në renditjen e përgjithshme duke përfunduar në pozitën e dytë në Hungaroring të dielën.
Button në McLaren shfaqi vozitje të sigurt, pavarësisht shiut të shpeshtë që vështirësoi kushtet për vozitje dhe siguroi fitoren e tij të 11-të në karrierë, duke përfunduar 3.5 sekonda para Vettelit.
Fernando Alonso nga Ferrari doli i treti para Lewis Hamiltonit në McLaren, i cili udhëhoqi për pjesën më të gjatë të garës, por ra prapa për shkak të pesë pit-stopeve dhe një penalizmi.
Mark Webber ishte i pesti dhe mbetet përcjellësi i parë i kolegut të tij nga Red Bull, Vettel në renditjen e përgjithshme.
Gjermani tani udhëheq për 85 pikë. Button fitoren e tij të parë në Formula 1 e kishte regjistruar në Budapest më 2006 në kushte të ngjashme klimatike, njësoj sikurse triumfi i tij i parë këtë sezon që erdhi në shiun e Montrealit.
“Ky është vendi ku kam fituar garën time të parë më 2006, në kushte të ngjashme”, tha Button pas garës.
“Jam gjithmonë me fat në këto kushte. Jo gjithmonë ndodh që bëni vendime të drejta në këto kushte, por ndjej se jam goxha i mirë në marrjen e atyre vendimeve sa i përket gomave dhe nuk jam i vetmi. Kemi pasur ritëm të mirë dhe isha në gjendje që nga fundi të vozis me goma të buta. Arsyeja pse fituam sot ishte sepse ishim të shpejtë. Nëse nuk do të kishte rënë shi, prapë nuk do të kishte dallim”, u shpreh britaniku.
Vettel i cili u nis nga pol-pozicioni u rikthye nga rezultati i tij më i dobët këtë sezon (pozita e katërt në Gjermani), edhe pse u tejkalua herët nga Hamilton dhe më pas Button.
24 vjeçari Vettel udhëheq bindshëm me 234 pikë, para Webberit me 149. Hamilton tani është 88 pikë prapa Vettelit, ndërsa Alonso ka një pikë më pak se britaniku. Button ka 134 pikë.
Kushtet e ndryshueshme klimatike në pistën e Hungaroring bënë që shumë bolide të rrëshqasin. Strategjia e gomave ishte vendimtare.
Felipe Massa në bolidin e dytë të Ferrarit përfundoi i gjashti, para Paul di Resta nga Force India Mercedes.
Ngasësi i Toro Rosso, Sebastien Buemi përfundoi i teti, Nico Rosberg në Mercedes i nënti, ndërsa pika e fundit i takoi Jamie Alguersuari nga Toro Rosso.
Rezultatet e garës:
1 Jenson Button1:46:42.337
2 Sebastian Vettel+00:03.588
3 Fernando Alonso+00:19.819
4 Lewis Hamilton+00:48.338
5 Mark Webber+00:49.742
6 Felipe Massa+01:23.176
7 Paul Di Resta+xhiro
8 Sebastien Buemi+ xhiro
Renditja e përgjithshme:
1 Sebastian Vettel234 pikë
2 Mark Webber149
3 Lewis Hamilton146
4 Fernando Alonso145
5 Jenson Button134
6 Felipe Massa70
7 Nico Rosberg48
8 Nick Heidfeld34