E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhet i vogël, krizë barnash për pensionistët dhe pacientët

Burime pranë ISKSH-së dhe QSUT-së pohojnë se buxheti për 2008 është më i vogël se vitin e kaluar
Mungesa e medikamenteve duket se do të jetë më problematiku për këtë vit. Kështu, buxheti i miratuar për medikamentet në vitin 2008 është më i vogël se vitin e kaluar, në dy institucionet më të rëndësishme shëndetësore, që është qendra më e madhe spitalore në vend, QSUT-ja dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Madje burime pranë ISKSH-së bëjnë të ditur se, ende nuk ka kanë asnjë konfirmim nëse do të ketë barna të reja në listën e rimbursueshme, ndonëse vitin e kaluar kjo procedurë në këtë kohë kishte marrë fund. Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni Ministria e Financave nuk ka miratuar buxhetin e parashikuar nga ISKSH-ja, çka do të thotë se parashikohen mungesa medikamentesh. "Këtë vit nuk është miratuar fondi i parashikuar nga ISKSH-ja për barnat dhe shërbimet e rimbursueshme nga Ministria e Financave",- pohojnë burime të ISKSH-së. Ndërkohë, sipas të dhënave, në periudhën e hartimit të Projekt-buxhetit ishte planifikuar që nga ISKSH-ja të merret një shifër prej 6 miliardë e 159 milionë lekësh ndërsa ajo që u miratua u ul deri në 5 miliardë e 860 milionë lekë të reja. Ndërkohë bëhet e ditur se aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme ka 368 medikamente, që mbulojnë 94 për qind të sëmundshmërisë kronike. Nga kjo listë përfitojnë të paktën 500 mijë pensionistë, që janë shtresa që duket se do të ndjejë më shumë mungesën e subvencionit nga shteti të medikamenteve.
QSUT pa ilaçe
Qendra më e madhe spitalore në vend ka paraqitur alarmin e mungesës së medikamenteve për këtë vit. Shkak për këtë është bërë pikërisht buxheti i ulët i miratuar për barna në këtë qendër edhe pse është ndër institucionet më të rëndësishëm shëndetësorë në vend. Kështu, bëhet e ditur se spitali më i madh në vend, ka marrë buxhet për barnat të paktën 60 për qind më të ulët se nevojat e pacientëve. Kështu, problemet e vitit të kaluar, me mungesën e medikamenteve pritet që të jenë evidente edhe këtë vit në QSUT, madje kriza mendohet se do të jetë më e thellë. Mungesat e barnave janë denoncuar shpesh nga pacientët, por edhe vetë mjekët e QSUT-së i kanë pohuar këto mangësi duke bërë apel për ndryshim të situatës pasi rrezikohet seriozisht shëndeti i pacientëve.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›