Enveri dhe Nexhmija "shiten" për 3500 euro
Pogradec –Në një nga sallat kryesore të restorantit të vilës "ART" atje ku dikur ka qënë rezidenca e Enver Hoxhës, pranë oxhakut ku ai kotej është vendosur një tablo që ka në qendër çiftin Enver dhe Nexhmije Hoxhën duke shëtitur nëpër Drilon. Është vaj në kanavacë, 60cm x 40cm, e realizuar në vitin 1987 nga piktori pogradecar Vangjo Vasili. Klientët janë befasur kur e kanë parë të ekspozuar Hoxhën dhe bashkëshorten e tij në një nga këndet kryesore të restorantit. Por çka i ka befasuar më shumë ka qenë çmimi: 3500 euro. Padyshim që ky është rasti i parë pas viteve 1992 që ekspozohet në një ambient publik dhe lihet aty paafat deri sa të shitet një portret i diktatorit Hoxha dhe gruas që ishte krahu i tij i djathtë gjatë gjithë jetës, e akuzuar si pjesëmarrëse në krimet dhe dënimet permanente.
Ka nostalgjikë të moshuar që vijnë qëllimisht aty në lokal për t'u çmallur me atë portret të Hoxhës por ka dhe shumë klientë që gjithë mllef shprehen: "Na i keni varur në mur diktatorin. Ka ngelur vetëm ta ngjallni ndonjë ditë. S'kemi për të shkelur më në Drilon si dikur kur Driloni ishte pronë e tij",- thotë një djalë i ri nga Korça i cili ishte duke drekuar në restorant me të fejuarën.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Nazar Berberi thotë se "është irrituese të shohësh atë fytyrë që për gati 50 vjet e mbajti popullin tonë në diktaturë. Pastaj ai dhekomunizmi është dënuar edhe në parlamentin shqiptar nga të gjitha forcat politike të majta dhe të djathta. Kjo padyshim është për të ardhur keq aq më tepër që ekspozohet në një lokal luksoz që për 30 vjet ai e ka mbajtur si pronë të vetën dhe ku nuk shkelte këmbë njeriu".
"Prania e portretit të tij këtu,- thotë piktori nga Devolli Gëzim Begolli, -është e papranueshme. Duket sikur fantazmën e kemi ende të gjallë. Ky është një provokim ndaj atyre që kanë vuajtur burgjeve të diktaturës. Jo, jo në asnjë mënyrë."
Por ka dhe nga ata që janë krejt indiferentë ndaj faktit që nuk tregojnë interes madje nuk ia hedhin sytë fare. Piktori pogradecar Gjergji Lako thotë se "jemi në demokraci dhe mund të ndodhë gjithçka".
Dikur
Pika turistike e Drilonit , nga viti 1964 kur vinte pushonte në bllokun e Pogradecit Enver Hoxha për 2 deri në 3 muaj në vit kanë qenë "mollë e ndaluar" për pogradecarët. Madje edhe rruga aktuale buzë liqenit nga rezidenca e tij deri në Drilon, do të bllokohej sepse aty mund të kalonte vetëm diktatori dhe familja e tij. Një rrugë tjetër u hap për njerëzit që mund të shihnin vetëm njërin cep të Drilonit. Oazi kryesor i këtij vendi ishte vetëm për diktatorin i zhytur mes dremitjes së lumit të Volorekës, mes blerimit dhe luleve erëmira, urave që lidhin ishujt e Drilonit, mjelmave dhe rosave, barit tepër luksoz me lloj-lloj ornamentesh ishin privilegj vetëm për ata misteriozët e bllokut.
Në mes të këtij peizazhi romantik piktorët vendas dhe ata me emër të rretheve të tjera nuk lanë kënd të këtij peizazhi pa fiksuar diktatorin në telajot e tyre, tek urat duke gjuajtur peshk, tek mështekna duke studiuar, tek oxhaku, në momente meditimi etj. Kuptohet pikturat më të arrira me portretin e diktatorit vendoseshin nëpër vendet më të zgjedhura dhe në rezidenca qeveritare apo partiake. Madje servilizmi shkoi deri atje saqë u realizuan piktura në një tavolinë duke biseduar Enver Hoxha me Lasgush Poradecin gjë që nuk ka ndodhur kurrë kur vetë Hoxha në kujtimet e tij shprehet se njëherë e ka pyetur sekretarin e parë të Pogradecit se çfarë bënte dhe me se merrej në Pogradec Lasgushi…
Ishte koha kur përveç piktorëve servilë kishte edhe shumë poetë kompozitorë dhe kineastë që krijuan për diktatorin. Janë të famshme vargjet e kënduara në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës: "Pogradeci ynë në buzë të kufirit/ Mban në gji Enverin si nëna të birin…"
Udhëheqësi në Pogradec ruhej tej mase dhe qyteti në verë ngjantë me një bazë të fortifikuar të NATO-s. Turistët në shtetin fqinj, Maqedoni, të trembur nga siluri luftarak që patrullonte në liqen, braktisën njëherë pushimet në plazhet e shtetit fqinj.
U xhirua në ato vite filmi "Bashkëqytetari ynë" ku autorët dhe regjisori i bënin elozhe pa kufi diktatorit në rezidencën qeveritare dhe nëpër Drilon me montazhe të sajuara sikur qëndronte në mes të popullit…
Pikërisht në këtë kohë në stadiumin e qytetit në një ndeshje të rëndësishme futbolli ishte shkruar me bojë jeshile një parullë me shkronja të mëdha "Poshtë diktatori Enver Hoxha".
Piktura e Hoxhës në ish- rezidencën e tij ka ngjallur jo pak diskutime pro dhe kundër, por shumica e njerëzve është kundër ekspozimit të tablosë në një vend publik aq shumë i frekuentuar nga vendas dhe të huaj.