Protesta e Redon Makashit

Më protestues, më energjik dhe pa melankolinë që jemi mësuar ta shohim zakonisht në këngët e tij. I tillë është rikthyer këngëtari Redon Makashi në videoklipin më të fundit të këngës “Përse më bëre të të urrej”. Një krijim që vjen me vargjet dhe muzikën e vetë Redonit, orkestruar nga Bledar Sejko dhe Elton Deda dhe e vlerësuar me çmimin e parë në një prej festivaleve të pranverës. “Natyra e kësaj kënge të re është krejt ndryshe nga ato që kam lançuar deri më tani. Një rrymë pop-rrock, më e egër, që ka në vetvete një subjekt të gjetur. Një dashuri e ndërprerë, ku mashkulli nuk dëshiron që t’i rikthehet më. Një notë proteste e brendshme që është shprehur edhe në këngë. Në videoklip më shoqërojnë në kitarë Bledar Sejko, si basist Altin Myftaraj dhe bateri Tim Beka. Është një klip goxha i realizuar, pas atij me titull “Ç’më ndodh pa ty”, thotë për gazetën “Korrieri” Redon Makashi. Gjithçka është xhiruar në një zonë shumë të veçantë të Shqipërisë, e pikërisht në Porto Palermo. Ishte ideja e Alket Islamit, që sekuencat e videos të realizoheshin në një zonë kaq të veçantë turistike. “Përpos bukurisë natyrore që përcjell ky klip, gjatë xhirimeve kemi pasur goxha vështirësi, sepse na është dashur që të zhvendosim në Porto Palermo të gjithë bazën materiale. Por regjisori i njohur Spartak Papadhimitri me të birin mendoj se kanë bërë një punë të shkëlqyer, pasi kanë xhiruar në një majë të thepisur mali, ku direkt vinte deti dhe ne jemi pozicionuar në një vend shumë special. Kam përshtypjen që ka dalë diçka e bukur”, vijon këngëtari. Në hitet e tij, Redoni i këndon shpesh dashurisë, aq sa ky duket si një subjekt i pandashëm në muzikën e kantautorit të njohur. Ai beson se dashuria dhe muzika ecin shumë mirë bashkë. Baladat që transmetojnë mesazhe të bukura mbeten më gjatë në mendjen e publikut sesa një subjekt social, për të cilin ai e ka shumë vështirë që të shkruajë. Edhe në videoklipin e fundit “Përse më bëre të të urrej”, Redon Makashi guxon që t’i këndojë një lidhjeje të përfunduar, por që në fakt nuk ka asgjë të përbashkët me jetën reale të tij. Në jetën private ndjehet plotësisht i realizuar, teksa shton se vazhdon të mbetet djali besnik ndaj femrave bionde. “Në çështjen e dashurisë po kaloj një periudhë të qetë dhe pa shumë trazira. Kam mbetur sërish tek vajzat bionde, por ende nuk kam ndërmend të fejohem apo martohem. Jam vërtet mirë kështu”, pohon ai. Këngën e radhës nuk ka ndërmend që ta përfshijë në ndonjë album muzikor, sepse ka hequr dorë përfundimisht nga ato. “Shumë këngë të bukura të miat që i kam futur në dy albumet e para “Dikur” dhe “Ç’më ndodh pa ty”, janë harruar nga audienca. Unë nuk dua që sakrificat e mia dhe puna ime të shkojnë dëm për hir të një keqmenaxhimi apo mosfunksionimi të rregullt të tregut muzikor në vend. Për më tepër që tregu këtu është tepër komercial dhe unë kurrsesi nuk dëshiroj që muzika ime të humbasë për hiçgjë”, thekson Makashi, ndërsa shton se ka shpallur “dorëheqjen” edhe nga pjesëmarrjet nëpër festivalet shqiptare që organizohen çdo vit në Shqipëri. Tashmë Redon Makashi e ka krijuar emrin e tij në fushën e muzikës dhe këtë vlerësim do ta mbrojë me një strategji tjetër që ka zgjedhur prej pak kohësh. Më shumë këngë e videoklipe të bukura, që mund të mbeten gjatë në mendjet e njerëzve: ky është misioni i këngëtarit, i cili promovoi ditën e djeshme videoklipin e ri me titull “Përse më bëre të të urrej”.
“Shumë këngë të bukura të miat që i kam futur në dy albumet e para “Dikur” dhe “Ç’më ndodh pa ty”, tashmë janë harruar nga audienca. Unë nuk dua që sakrificat e mia dhe puna ime të shkojnë dëm për hir të një keqmenaxhimi apo mosfunksionimi të rregullt të tregut muzikor në vend. Për më tepër që tregu këtu është tepër komercial dhe unë kurrsesi nuk dëshiroj që muzika ime të humbasë për hiçgjë”.