Patozi: Dosjet, verifikim nga Presidenti te drejtorët e shkollave
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi hodhi poshtë pretendimet se ligji i ri për hapjen e dosjeve penalizon vetëm hetuesit dhe gjyqtarët e para viteve '90. "Ky është pretendim sa absurd, po aq edhe keq përdorimi, sepse ligji i pastërtisë së figurave prek shumë nivele të administratës dhe është një ligj që fillon me Presidentin e Republikës, majën e kreut të shtetit dhe përfundon me nivele të ulëta, si drejtorët e shkollave të mesme", deklaroi Patozi. Ai hodhi poshtë qëndrimet duke i cilësuar si të ulëta. "Tani në rast se ka pretendime për prokurorë, hetues, gjykatës, policë apo drejtorë drejtorish, mua më duken shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që do ketë ky ligj", theksoi Patozi. Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare përfshiu në axhendën e punimeve votimin e këtij projektligji, pikërisht ditën e hënë më 15 dhjetor. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, tha për mediat se "vendimi për kalimin në seancë të këtij ligji u kontestua nga përfaqësuesit e PS-së, me pretendimin se ai po vjen shpejt në Kuvend, gjë që nuk është aspak e vërtetë". Projektligji "Për verifikimin e zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve", i njohur ndryshe dhe "për hapjen e dosjeve' u miratua më 10 dhjetor nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e maxhorancës. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në këtë proces, duke e cilësuar p/ligjin e paraqitur nga PD, si "të njëanshëm". Opozita kërkoi më shumë ekspertizë nga institucionet ndërkombëtare dhe më tepër kohë.