E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2009, Berisha: Jo ndarje sipas ngjyrave politike



Buxheti i ri nuk do të shpërndahet sipas ngjyrave politike dhe në funksion të fushatës elektorale të 2009-s. Këtë garanci dha dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, teksa informoi se buxheti i vitit 2009 do të jetë gati shumë shpejt. Ndonëse vitet e fundit buxheti jepet për pushtetin lokal në formën e grandeve konkurruese, Berisha siguroi të vetët dhe opozitën e majtë se nuk do të jetë buxhet elektoral. Kryeministri bëri të qartë se qeveria do të bëjë çdo përpjekje, që pavarësisht se viti i ardhshëm është një vit zgjedhor, të mos ndikohet nga procesi zgjedhor dhe të mos pësojë lëkundje performanca financiare, si dhe performanca buxhetore. “Nuk ekziston sot një kryetar komune që t’i thotë Kryeministrit të tij apo ministrit, që për arsye partiake më keni bërë këtë padrejtësi. Sot ka kryetar komune që më shkruajnë dhe më thonë se nuk kemi marrë fondet që kemi pasur nevojë dhe kemi marrë pak, dhe kanë të drejtë, por këta nuk janë me ngjyra partiake dhe nuk do të jenë me ngjyra partiake. Jo, ne kemi vendosur këtë kulturë dhe do t’i përmbahemi kësaj kulture”, - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, çështjet politike nuk do të përzihen me ato të qytetarëve, ndaj ata do të marrin paratë pa asnjë dallim bindjesh politike, pasi nevojat e tyre janë nevoja jetike. Për këtë, Berisha pohoi se “kam sirena ankimesh nga demokratë, socialistë dhe do të përpiqemi t’i zgjidhim, por asnjëherë të një karakteri partiak”. Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili sipas llogaritjeve do të jetë 1 miliard dollarë më shumë se sa ai i vitit të kaluar, Kryeministri vlerësoi se parametrat ekonomikë të vendit, si rritja ekonomike dhe inflacioni, në kushtet aktuale janë në kuotat më të mira. Po ashtu, buxheti i ri i vitit 2009, do t’iu japë përgjigjen e duhur përcaktimeve të programit qeveritar dhe përveç investimeve në infrastrukturë, do të jetë një zë i fuqishëm për rritjen e pagave dhe pensioneve, sidomos për 800 mijë familje shqiptare buxhetore. “Ky buxhet i jep të gjitha mundësitë qeverisë sime të mbajë plotësisht premtimin e dhënë për 800 mijë familje shqiptare. Rritjen e pensioneve në fshat me 20 %, rritjen e pensioneve në qytet me 10 %, dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermiereve, rritjen thelbësore të ndihmës ekonomike dhe rrogave të tjera, përveç atyre të larta”, - tha z. Berisha. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri evidentoi se platforma e qeverisë për bujqësinë është platforma e zhvillimit të qëndrueshëm rural. Z. Berisha u shpreh se debatet e ndryshme lidhur me qëndrimin ndaj fshatit kanë qenë të frymëzuara nga motive politike ose koncepte shumë të ngushta për këtë sektor jetik të vendit. Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në përdorimin e buxhetit për përfundimin e një sërë veprave të rëndësishme infrastrukturore, të cilat janë në ndërtim e sipër, ose në procesin e studimit. “Buxheti i vitit 2009 është buxheti i përfundimit dhe vazhdimit të rreth 820 km autostrada dhe rrugë kombëtare në të katër anët e vendit. Do të përfundojë rruga Durrës- Morinë, si dhe një seri rrugësh të tjera kombëtare, të rëndësishme. Do të nisin të tjera autostrada. Do të përfundojë rruga Korçë-Qafë Plloçë, Bllacë- Bulqizë, nis rruga e Arbërit nga Bulqiza dhe nga Tirana në dy drejtime, si dhe do të nisë rruga Qafë-Plloçë, Qaf Thanë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›