Kuvendi nis punën, debate mes krerëve të grupeve
Pas pushimeve verore, Kuvendi u mblodh në seancën e parë plenare. Krerët e grupeve parlamentare mbajtën diskutimet hyrëse ku bënë të ditur prioritet e punës së grupeve përkatëse. Pavarësisht se ishte seanca e parë plenare, krerët e grupeve parlamentare kanë replikuar mbi çështjet më të nxehta politike në vend. Në fjalën e parë të saj, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi se qeveria nuk po bën punën që kërkohet për reformën në drejtësi. Ajo përmendi debatin në lidhje ne projektligjin për prokurorinë si dhe u kthye mbrapsht në buxhetin suplementar të cilin e cilësoi të dështuar. “Ne presim që qeveria të mbështesë Komisionin e Ligjeve që në një proces të hapur të konsultuar me partnerët ndërkombëtarë të diskutohej reforma në drejtësi. Asnjë ligj për prokurorinë që nuk forcon pavarësinë e këtij institucioni nuk do të votohet nga PS-ja. Nuk mund të kënaqen shqiptarët me buxhetet suplementare, kur shqiptarët blejnë sot më pak ushqime dhe shkollat e spitalet ofrojnë më pak, kur sipërmarrja është në ditët më të vështira dhe kur fshatarët vjelin kalli pa kokrra. Ne ftojmë mazhorancën të angazhohet seriozisht për realizimin e kodit zgjedhor brenda afateve kohore. Ne kërkojmë realizimin e kartave të identitetit dhe pasaportat”, - deklaroi Valentina Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Deklaratat e Leskajt Patozi i cilësoi si “fushatë para kohe”. “Ajo që lexohet qartë në fjalën e koleges së opozitës është fakti që Partia Socialiste me sa duket e ka nisur në mënyrë të parakohshme fushatën elektorale. Sigurisht ky është një qëndrim i saj, nëse do të duan fushatë, fushatë do të ketë, ne këtu jemi, mezi e presim, por do të sugjeroja që do të ishte më mirë ta nisnim këtë fushatë pasi të miratojmë kodin e ri elektoral”, - deklaroi Patozi. Krerët e grupeve parlamentare theksuan se ky sesion parlamentar ka përpara një punë të vështirë pasi duhet të miratohen disa reforma delikate.