Spoti publicitar, Kryeministri ironizon kritikuesit
Kryeministri Sali Berisha paralajmëron se beteja anti-korrupsion do të ketë përmasa të mëdha dhe se do të përfshijë çdo qytet, fshat, rrugë, shesh, media, derisa Shqipëria të arrijë nivelet më të ulëta të korrupsionit. Por që nga qyteti i Shkodrës, duke iu referuar akuzave të opozitës për spotin anti-kurrupsion, Kryeministri i vendit u bëri të qartë kundërshtarëve politikë se spoti nuk ka pse të trishtojë njeri. Madje, Berisha ilustroi këtë fakt me një histori për të qeshur. “Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi, një grup fashistësh dolën në Tiranë dhe brohorisnin: Viva Duçe! Aty u gjend dhe një matjan, i cili, sapo e ndërpritnin ata, u kthehej dhe u thoshte: “Edhe Zogi””, - tha ai. Ndërkaq ai shtoi se “unë flas për investimet, ndërsa ju vazhdoni pyesni për spotin. Por unë i kam dhënë një herë përgjigje kësaj çështjeje. Spoti nuk ka përse të trishtojë njeri”. Berisha vuri në dukje se beteja kundër korrupsionit është beteja e jetës time. Berisha shprehu bindjen e thellë se dy janë armiqtë më të egër të mirëqenies së njeriut: tirania dhe korrupsioni. Tiraninë tha ai e kemi lënë pas që në vitin 1992, ndërsa korrupsionin do ta luftojmë rreptësisht dhe me përkushtimin më të madh në mënyrë, që të mund të mos ketë hapësira në shoqërinë tonë. “Nëse Shqipëria po ndryshon, dhe këtë tani e pohon çdo qytetar dhe vizitor i këtij vendi, lind pyetja se cili është shkaku themelor i këtij ndryshimi dhe unë do të thosha se shkaku kryesor është lufta kundër korrupsionit. Ndaj, ata që mërziten nga kjo luftë le të kenë durim, sepse kjo do të njohë përmasa shumë herë më të mëdha”, - u shpreh Kryeministri.