E Diel, 1 Nëntor 2026

SHKB-ja, Nishani: Ligji i ri do të ndalojë korrupsionin në polici

Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Kuvend ka debatuar ditën e djeshme në lidhje me projektligjin e qeverisë për reformimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Opozita e ka kundërshtuar këtë projektligj të cilin e cilësoi si një ligj që kërkon të vendosë nën fre të qeverisë këtë institucion. Përpara deputetëve ishte ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka qetësuar deputetët e opozitës duke deklaruar se projektligji për SHKB-në është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e huaj. Nishani tha se ky institucion do të reformohet tërësisht, do të jetë më i pavarur si dhe do të bëjë të mundur parandalimin e fenomeneve antiligjore në Policinë e Shtetit si korrupsioni apo keqpërdorimi me detyrën. “SHKB-ja është një agjenci që ka objekt kontrollin vetëm të Policisë së Shtetit. Pra, kontrollon dhe inspekton vetëm Policinë e Shtetit. Çdo interpretim, çdo hamendësim për një strukturë që del me kompetenca të mëdha është i pasaktë. SHKB-ja është shërbim inteligjent, që kontrollon bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, ashtu siç ka shërbime të tilla dhe një sërë institucionesh të tjera”, - tha ministri Nishani. Vasilika Hysi, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Tiranë, e pranishme në këtë seancë, tha se ky projektligj duhet të miratohet njëkohësisht me atë të prokurorisë apo Policisë Gjyqësore, në mënyrë që të mos ndërhyhet në kompetencat e këtyre institucioneve. Por kryetari i SHKB-së e hodhi poshtë këtë logjikë. “Mosmiratimi i projektligjit për policinë gjyqësore dhe ai për prokurorinë nuk e pengon miratimin e këtij ligji. Punonjësi i SHKB-së ka atributet e policisë gjyqësore por vepron vetëm për policinë dhe jo jashtë saj. Qëllimi ynë nuk është të kontrollojmë policinë në çdo aspekt të saj, por vetëm të krijojmë një polici që t’u shërbejë qytetarëve dhe jo të abuzojë me ligjin”, - tha Astrit Halili, drejtor i SHKB-së. Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, pyeti ministrin Nishani në rast se kjo reformë do e kthejë SHKB-në në një institucion dublues me institucionet e tjera të inteligjencës. Ministri Nishani deklaroi se puna e SHKB-së do të konsistojë vetëm në Policinë e Shtetit. “Objekti dhe veprimtaria e SHKB shtrihet vetëm në Policinë e Shtetit. Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kontrollohen nga SHKB-ja për zbatueshmërinë ligjore të veprimtarisë së tyre. Pra, kemi një kontroll të një institucioni për zbatueshmërinë ligjore të një institucion tjetër, i cili me ligj është i pavarur”, - deklaroi Nishani.

Projektligji, çfarë ndryshon në kompetencat e SHKB-së

Projektligji për “Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm”, i propozuar, përcakton misionin, organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme. SHKB-ja është një institucion i administratës publike dhe strukturë e veçantë e Ministrisë së Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit. Kjo strukturë është e depolitizuar. Misioni i këtij shërbimi është t'i garantojë komunitetit një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. Objekti i veprimtarisë së SHKB-së përfshin parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, pavarësisht nga funksioni dhe grada. SHKB-ja u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit deklarata për veprimtaritë e jashtme, dypunësimin, investimet, pasuritë dhe dhuratat ose privilegjet, nga të cilat mund të lindë një konflikt interesash, për shkak të funksioneve të tyre, si nëpunës publikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›