E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit buxhetet e institucioneve të drejtësisë për vitin 2009



Buxheti i vitit 2009 ka programuar rritje fondesh për të gjitha institucionet e drejtësisë dhe kjo rritje është vendosur të bëhet sipas kërkesave të vetë këtyre institucioneve. Ministria e Financave tashmë ka përfunduar projektbuxhetin e vitit 2009 dhe ka përcaktuar të gjitha fondet shtesë të institucioneve. Përpara miratimit të projektbuxhetit, kjo ministri ka zhvilluar seanca dëgjimore me të gjitha institucionet dhe ka vendosur që për institucionet e drejtësisë, të jepet fondet që ato kanë kërkuar. Shtesat për vitin e ardhshëm janë të konsiderueshme edhe duke pasur parasysh faktin se do të përdoren për rritje pagash si dhe blerje materialesh për të rritur efektivitetin e këtyre institucioneve. Pavarësisht debateve të fundit mes opozitës dhe mazhorancës për prokurorinë, ky institucion do të përfitojë vitin e ardhshëm 120 milionë lekë të reja shtesë. Nga këto para, 40 milionë lekë do të përdoren nga prokuroria për shpenzime të tilla si shërbime kompjuterike, karburant, përkthime, trinime, ndërsa 80 milionë lekë do të përdoren për ndërtimin e godinës së re në qytetin e Korçës. Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 i shtohen 21 milionë lekë për mirëmbajtjen e programit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe 39 milionë lekë për projektin e ndërtimit të gjykatës në Korçë. Gjykata Kushtetuese për vitin 2009 do të përfitojë shtesë 2 milionë lekë për blerje pajisjesh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë për vitin 2009 do të përfitojë 4 milionë lekë shtesë të cilat do të përdoren për transport dhe dieta. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive të citit do t’i shtohen 1 milion lekë të reja për kancelari dhe 1 milion lekë të tjera për blerje pajisjesh kompjuterike për zyrat. Fonde shtesë për dieta dhe shërbime transporti do të përfitojnë edhe avokati i prokurimeve me 1 milionë lekë dhe Avokati i Popullit me 2 milionë lekë të reja. Jashtë kësaj liste nuk ka mbetur as Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili do të përfitojë 30 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit “ARIES”. KLSH-ja do të ketë 4 milionë lekë shtesë për shërbime dhe mirëmbajtje të zyrave. Shtesë fondesh do të ketë edhe Ministria e Drejtësisë, të cilës i shtohen 200 milionë lekë për të investuar në shërbimin e zyrës së pasurive të paluajtshme. Ministrisë së Brendshme i shtohen përkatësisht në programin “Policia e Shtetit”, shërbimet mbështetëse, për vitin 2009 1 miliard lekë. Një shtesë prej 300 milionë lekësh do të përdoren për shpenzimet e tjera nga kjo ministri. Njëkohësisht është parashikuar një fond për trajtimin e familjeve të policëve të plagosur apo të vrarë.

Institucionet e tjera

Rritje fondesh të konsiderueshme kanë përfituar edhe institucione të tjera ku prioritet kanë mbetur investimet publike, arsimi dhe shëndetësia. Ministrisë së Arsimit i shtohen përkatësisht për vitin 2009 1 miliard lekë për ndërtim shkollash dhe pajisjen me mjete të shkollave ekzistuese. Ministrisë së Shëndetësisë do t’i shtohen 100 milionë lekë për shërbimin parësor dhe 100 milionë lekë të tjera për medikamentet e rimbursueshme. Projektbuxheti i vitit 2009 pritet të vijë brenda 2 javëve në Kuvend për t’u miratuar, pasi të kalojë në qeveri.

Policët dhe ushtarakët në reformë, fonde për rehabilitimin e tyre

Ministrisë së Brendshme do t’i shtohet një fond prej 800 milionë lekësh të reja për vitin 2009 i cili do të përdoret për rehabilitimin e policëve të cilët kanë lënë detyrën për shkak të reformës. Një fond i tillë do të jetë në këtë ministri edhe për vitet 2010 dhe 2011. Policët e dalë nga reforma do të trajtohen financiarisht nga shtetin bazë të ligjit për policinë. Njëkohësisht, Ministrisë së Mbrojtjes, në vijim të riklasifikimit të shpenzimeve për pagesën e ushtarakëve të prekur nga reforma dhe pagesën e ushtarëve aktivë, është vendosur një fond prej 445 milionë lekësh dhe të njëjtat fonde do të jenë edhe për dy vitet në vijim.

Kërkesat e institucioneve për shpenzime shtesë për vitin 2009

1-Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i shtohen përkatësisht për vitin 2009 1 miliardë lekë, vitin 2010 1 miliardë lekë, vitin 2011 1 miliardë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për produktet “Klasa të reja të ndërtuara”, “Klasa të rehabilituara” dhe “Shkolla të pajisura”, ndërsa në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” i shtohen përkatësisht në vitet 2010 dhe 2011 200 milionë lekë për produktin “Mjete didaktike dhe materiale mësimore”.

2-Ministrisë së Shëndetësisë, në programin “Shërbime të Kujdesit Parësor”, i shtohen për vitin 2009 100 milionë lekë në zërin “Transferime ISKSH” për produktin “Medikamente të Rimbursueshme”.

3-Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në programin “Sigurimi Shoqëror”, i shtohen përkatësisht viti 2009 2.9 miliardë lekë, viti 2010 3.98 miliardë lekë, viti 2011 3.88 miliardë lekë në zërin “Transferime ISSH” për përballimin e efekteve të rritjes së pensioneve.

4-Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i shtohen në programin “Rrjeti i Rrugëve Nacionale” për vitin 2009 7 miliardë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “Rruga Durrës-Kukës-Morinë”.

5-Ministrisë së Drejtësisë i shtohen në Programin “Shërbimi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” në zërin “shpenzime kapitale me financim të huaj 230-231” përkatësisht për vitin 2009 200 milionë lekë, vitin 2010 200 milionë lekë, viti 2011 100 milionë lekë për projektin e Bankës Botërore “Administrimi dhe Menaxhimi i Tokës (LAMB)”.

6-Ministrisë se Brendshme i shtohen përkatësisht në Programin “Policia e Shtetit” (Shërbimet Mbështetëse) për vitin 2009 1 miliardë lek, vitin 2010 500 milionë lekë, vitin 2011 500 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për produktet “Objekte të ndërtuara”, “Objekte të rikonstruktuara”, “Autoparqe të rinovuara”, “Pajisje”, “Mjete Transporti”, “Sipërfaqe të studiuara dhe projektuara”, ndërsa në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” i shtohen përkatësisht për vitin 2009 300 milionë lekë, vitin 2010 200 milionë lekë, 2011 200 milionë lekë për produktet “Familje të Policëve të plagosur dhe të vrarë të trajtuar me ndihmë ekonomike”, “Punonjës të Policisë së Shtetit te trajtuar me ushqim” dhe “Uniforma të reja për punonjësit e Policisë së Shtetit”. Gjithashtu, në programin “Policia e Shtetit”, në vijim të riklasifikimit të shpenzimeve për pagesën e punonjësve të Policisë së Shtetit të prekur nga reforma, është kryer rialokimi i fondit përkatës prej 800 milionë lekë nga zëri “Shpenzime për paga 600+601” në zërin “shpenzime të tjera korente” artikulli 606 “Transferta për Buxhetet Familjare dhe Individët” për periudhën 2009-2011.

7-Ministrisë së Mbrojtjes, në vijim të riklasifikimit të shpenzimeve për pagesën e ushtarakëve të prekur nga reforma dhe pagesën e ushtarëve aktivë, është kryer rialokimi i fondeve nga zëri “Shpenzime për paga 600+601” në zërin “shpenzime të tjera korente” artikulli 606 “Transferta për Buxhetet Familjare dhe Individët” përkatësisht për vitin 2009 445 milionë lekë, vitin 2010 424 milionë lekë, vitin 2011 426 milionë lekë.

8-Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si pasojë e ndryshimit të politikës së mbështetjes së peshkimit nga subvencionimi i akcizës së karburantit në përjashtim të pagesës së kësaj akcize, i janë hequr fondet e parashikuara për ketë qëllim në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” përkatësisht viti 2009 212 milionë lekë, viti 2010 223 milionë lekë, viti 2011 234 milionë lekë.

9-Kuvendit për vitin 2009 i shtohen 10 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (karburant, dieta udhëtimi, shpenzime telefonike) dhe 20 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “Rikonstruksioni i Godinës së Kuvendit”.

10-Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2009 i shtohen 30 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” për mirëmbajtjen e sistemit “ARIES”.

11-Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2009 i shtohen 4 milionë lekë në berin “Shpenzime të tjera korente 602-606” (shpenzime transporti, udhëtime e dieta, materiale zyre).

12-Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2009 i shtohen 40 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (shërbime kompjuterike, karburant, përkthime, trajnime) dhe 80 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “Ndërtimi i Godinës së Prokurorisë Korçë”.

13-Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 i shtohen 21 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (mirëmbajtja e programit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore) dhe 39 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “Ndërtimi i Gjykatës së rrethit Korçë”.

14-Gjykatës Kushtetuese për vitin 2009 i shtohen 2 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “Blerje Pajisje”.

15-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2009 i shtohen 4 milionë lekë në zërin ”shpenzime të tjera korente 602-606” (shpenzime transporti, kancelari, dieta).

16-Avokatit të Popullit për vitin 2009 i shtohen 2 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (energji elektrike, karburant, telefoni).

17-Inspektoratit të Larte të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive për vitin 2009 i shtohen 1 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (shpenzime transporti, materiale zyre) dhe 1 milionë lekë në zërin “shpenzime kapitale me financim të brendshëm 230-231” për projektin “blerje pajisje kompjuterike”.

18-Avokatit të Prokurimeve për vitin 2009 i shtohen 1 milion lekë në zërin “shpenzime të tjera korente 602-606” (shpenzime transporti, dieta).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›