E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e re, taktika për të marrë votat e PS-së

Partia e re Socialiste që po lind nga largimi i Petro Koçit nga PS-ja pritet që t’i tërheqë jo vetëm elektoratin socialist partisë mëmë, por dhe të marrë ndonjë votë më tepër, duke përdorur taktika të njohura tashmë në fushatat elektorale, siç është loja me emrin në fletën e votimit. Në prag të regjistrimit të partisë më të re brenda së majtës, drejtues të kësaj lëvizjeje janë duke menduar detaje të rëndësishme si logo, flamuri, apo edhe emri i saktë i regjistrimit në gjykatë, çka i lejon daljen si subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme. Burime nga kjo parti bëjnë të ditur se dy shkronjat e para do të jenë të përbashkëta me Partinë Socialiste, ndërsa është duke u diskutuar se si do vendoset shkronja e tretë. Ndërsa ka dy variante për emrin Partia Socialiste e Vërtetë dhe Partia Socialiste e Re, çka krijon përkatësisht dy forma të ndryshme të inicialeve të saj, PSV dhe PSR. Vetëm se brenda drejtuesve të saj është hedhur varianti që shkronja e tretë të mos vendoset në të njëjtën madhësi si dy shkronjat e para, por më e vogël dhe e vendosur lart, përbri shkronjës S. Nëse drejtuesit e kësaj partie vendosin që ta regjistrojnë në këtë variant, në fletën e votimit, do të ketë dy parti me inicialet PS, dhe dallimi mes tyre do të jetë shkronja e vogël vendosur përbri në njërën prej tyre. Kjo natyrisht mund të shkaktojë ngatërrime tek shumica e votuesve, por nuk mund të konfuzojë vetëm një votues të vëmendshëm. E thënë ndryshe, PSv ose PSr do të ketë shanse të marrë më shumë vota për shkak të ngatërrimit të mundshëm nga votuesit e pavëmendshëm, përveç atyre votave që do të marrë nga socialistët e pakënaqur prej Ramës, që do i bashkohen kësaj lëvizjeje të re. Një rast i tillë është ai i PDR-së së Genc Pollos në zgjedhjet e 2001-shit. Edhe Pollo pas ndarjes nga PD krijoi PDR, ku shkronja R ishte e vogël dhe e vendosur përbri shkronjës D. Kjo shkaktoi konfuzion te votuesit dhe siç rezultoi më tej, u vu re që PD pati rrjedhje votash drejt PDR për shkak të këtij fenomeni.

Ndërkohë burimet pranë partisë së re bëjnë të ditur se janë duke punuar për ta regjistruar sa më parë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa kanë nisur përpjekjet për organizimin e saj në të gjithë Shqipërinë. Pak ditë më parë drejtuesi i saj, Petro Koçi, i bëri thirrje edhe ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, që të bëhej pjesë e lëvizjes. “Kjo është një situatë që s’ka nevojë për ftesë. Mendoj se ajo që është katandisur në një shtet privat, në një Kushtetutë private, kërkon ndërhyrjen emergjente të gjithë atyre autoriteteve politike, që e mendojnë Shqipërinë evropiane dhe një Shqipëri të qytetarëve dhe jo të pashallarëve të politikës”, - u shpreh Petro Koçi disa ditë më parë. Themeluesi i kësaj partie te re, tashmë është bërë pjesë e strukturave parlamentare të grupit “E majta për integrim”, ku bën pjesë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos. Ajo çfarë i detyroi drejtuesit që nga një lëvizje ta kthenin në një parti është afrimi i zgjedhjeve elektorale, ndryshimi i sistemit zgjedhor, si e vetmja mundësi që të njihen si subjekt elektoral për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›